Zelensky: 200 mijë trupa aleate nevojiten për të zbatuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë

Zelensky: 200 mijë trupa aleate nevojiten për të zbatuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Nga atje ai ka deklaruar se “të paktën 200,000” trupa aleate do të nevojiten për të zbatuar çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Zelensky i ka kërkuar Evropës “të kujdeset për veten” tash kur Donald Trumpi është kthyer në pushtet në SHBA, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Enigma.

“Nga të gjithë evropianët? 200,000, është një minimum. Është një minimum, përndryshe nuk është asgjë”, është shprehur ai. 

Ai ka përmendur përfshirjen e trupave të Koresë së Veriut në luftën e Moskës kundër Kievit, me luftimet që po zhvillohen në rajonin Kursk të Rusisë perëndimore, afër kufirit lindor të Ukrainës.

“Të mos harrojmë se nuk ka asnjë oqean që ndan vendet evropiane nga Rusia. Udhëheqësit evropianë duhet të kujtojnë se këto beteja që përfshijnë ushtarë të Koresë së Veriut po ndodhin tani në vende gjeografikisht më afër Davosit sesa Phenianit”, është shprehur ai. 

Zelensky ka përjashtuar mundësinë e reduktimit të ushtrisë së Ukrainës në një të pestën e madhësisë së saj prej 800,000 trupash, që është një nga kërkesat e Kremlinit.

“Kjo është ajo që ai (Putini) dëshiron. Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se ekipi i tij po punon për të organizuar një takim me Trumpin.

Trumpi ka premtuar t’i japë fund konfliktit shpejt. Duke folur pas inaugurimit të tij të hënën, presidenti i ri i SHBA-së ka thënë se Vladimir Putini po shkatërron Rusinë dhe se ai duhet të bëjë një marrëveshje. /Gazeta Enigma

Related Articles