Kryeminsitri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetares ukrainase në Prishtinë, Olha Priadko, e cila tash e sa kohë po strehohej në Kosovë bashkë me të birin e saj, pasi iku nga lufta në Ukrainë.
“Olha dhe i biri i saj, Yaroslav, gjetën strehim në Kosovë nga viti 2023, për t’i shpëtuar tragjedisë së luftës në Ukrainë. Ajo ishte gazetare profesioniste dhe nënë e përkushtuar, që mbarte me vete forcën dhe kurajën që vetëm ata që kalojnë vuajtje të tilla mund ta kuptojnë”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
“Si pjesë e gazetarëve ukrainas të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kosovë përmes programit “Gazetarët në Rezidencë” (JiR), të mbështetur nga Qeveria, ajo ndërtoi një jetë të re këtu mes nesh”.
“Në këtë ditë plot dhimbje, me mendje dhe zemër jemi pranë Yaroslavit të vogël, familjarëve e miqve të Olhës”, u shpreh në fund kryeministri. /Gazeta Enigma