KPM sqarohet për zgjedhjen e kryetarit të ri: Kështu ka ndodhur edhe në vitin 2016, anëtarët mund të ndryshojnë rregulloren në çdo kohë

KPM sqarohet për zgjedhjen e kryetarit të ri: Kështu ka ndodhur edhe në vitin 2016, anëtarët mund të ndryshojnë rregulloren në çdo kohë

Komisioni i Pavarur i Mediave lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të ri, Besnik Berisha, ka dalë me një sqarim shtesë duke thënë se Rregullorja e Punës e KPM-së s’ka qenë asnjëherë në diskutim publik, dhe se aktet e brendshme institucionale rregullojnë procedurat e brendshme, e jo të rregullojë marrëdhëniet me palët e jashtme.

Në reagimin e bërë, KPM shton se vetëm anëtarët mund të ndryshojmë Rregulloren e Punës brenda këtij institucioni, dhe se zgjedhja e kryetarit bëhet po nga ta.

“Lidhur me informatat e plasuara në publik sa i përket zgjedhjes së z. Besnik Berisha si Kryetar i KPM-së, njoftojmë publikun se Rregullorja e Punës e KPM-së, e hartuar fillimisht në vitin 2012, dhe e amandametuar në vitin 2014, 2018 dhe tani në 2025, është bërë në pajtim me të njëjtin Ligj të KPM-së ( Ligji nr. 04/l-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave). Rregullorja e Punës e KPM-së nuk ka qenë asnjëherë në diskutim publik. Është interpretim i qartë ligjor që aktet e brendshme institucionale që rregullojnë procedurat e brendshme të punës së institucionit dhe që nuk rregullojnë ose përcaktojnë në çfarëdo forme marrëdhëniet me palët e jashtme (pra në këtë rast mediat e licencuara dhe publikun) nuk vendosen në diskutim publik”.

“Pra janë të vetmit anëtarët e KPM-së që kanë të drejtën dhe mund të ndryshojnë Rregulloren e Punës në çdo kohë. Gjithashtu edhe zgjedhja e Kryetarit bëhet ekskluzivisht nga anëtarët e Komisionit si e drejtë dhe obligim ligjor i tyre”, thuhet në sqarimin e KPM-së.

“Është obligim i anëtarëve të Komisionit që brenda kapaciteteve të tyre, të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që KPM të funksionojë në mënyrë sa më efikase dhe efektive, e që ndër të tjera nënkupton edhe evitimin e krijimit të vakumit institucional, pra në rastin konkret mungesën e Kryetarit dhe Nënkryetarit. Përveç tjerash, zgjedhja e Kryetarit mundëson që me ardhjen e vetëm një anëtari të ri të KPM-së të krijohet kuorumi i duhur për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta. Në të kundërtën, duhet pritur ardhjen e dy anëtarëve të rinj, e që nga praktika e zgjedhjes së tyre mund të ketë raste me diferencë kohore disa mujore ose dhe vjetore.

Zgjedhja e Kryetarit përveç që rrit efikasitetin dhe shton kredibilitetin e KPM-së, gjithashtu shton edhe gjasat për shkurtimin e kohës kur KPM do të jetë në gjendje të ketë kuorumin e duhur për të marrë vendime”.

KPM thotë se një rast i tillë i zgjedhjes së kryetarit para skadimit të mandatit ka ndodhur edhe më parë në vitin 2016, me zgjedhjen në atë kohë të Adnan Merovcit.

Tutje thuhet se “instistimi nga jashtë” është në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit të KPM-së, dhe “rrezikon dobësimin” e këtij institucioni.

“Një praktikë e tillë e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KPM-së para skadimit të mandatit të Kryetarit në detyrë është regjistruar edhe më herët respektivisht ri-zgjedhja e z.Adnan Merovcit me datë 09.03.2016, e që nuk ka pasur asnjë paqartësi. Kjo paraqet një historik institucional dhe precedent të ngjashëm, sa i përket funksionimit dhe punës së Komisionit.

Insistimi nga jashtë për të influencuar vendimmarrjen e KPM-së në drejtimin e lënies së qëllimshme vakante të pozitës së Kryetarit, përveç që është në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit për KPM-në (Pavarësia e KPM-së), poashtu rrezikon dobësimin e KPM-së si rregullator të medieve dhe rrit gjasat që krijimi i kuorumit të domosdoshëm për marrjen e vendimeve të ketë vonesa të panevojshme dhe që me zgjedhjen e kryetarit janë evituar”, thuhet në sqarimin e bërë.

Gjithashtu KPM-ja thekson se kërkesa formale për ndryshim të rreugllores është bërë më 5 janar të këtij viti.

“KPM-ja është e shqetësuar nga raportimet e medieve për “shkarkim” në mënyrë të paparalajmëruar dhe të befasishme të ish-Kryetarit të kaluar. Për hir të sqarimit dhe transparencës ndaj medieve dhe qytetarëve, KPM informon se çështja e zgjedhjes së Kryetarit/Nënkryterit të ri është adresuar në dhjetor 2024 dhe diskutimet kanë vazhduar gjatë gjithë muajit janar 2025 deri në mbledhjen e 17 janarit 2025. Kërkesa formale për ndryshim të rregullores është bërë me 5 janar 2025. Ish-Kryetari është dakorduar me datën 13 janar 2025 që të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit gjatë mbledhjes, përkundër që pika e zgjedhjes së kryesisë se re nuk ishte përfshirë në agjendë siç ishte kërkuar nga shumica e anëtarëve të KPM-së.

Rrjedhimisht, raportimet e mediave për “shkarkim” të “paparalajmëruar/të befasishëm” kanë qenë lajme të paverifikuara dhe të njëanshme që në mënyrë të padrejtë e kanë akuzuar KPM-në për ndikim politik”, thuhet në reagimin e bërë në Facebook.

Të premten e 17 janarit, pas ndryshimit të rregullores me katër vota pro, kryetar i Komisionit të Pavrur për Media u zgjodh Besnik Berisha, në vend të Jeton Mehmetit, pak ditë pa i përfunduar mandati këtij të fundit.

Emri i Besnik Berishës është propozuar nga një prej anëtarëve të KMP-së.

Gjithashtu është propozuar për nënkryetare Luljeta Aliu, e cila e ka thirur mbledhjen.

Juristja Flutura Kusari alarmoi për këtë ndryshim, ku sipas saj kështu po synohen të kapen politikisht këto dy pozita. Ajo tha se e njëjta metodë është përdorur edhe në RTK për ta zgjedhur drejtorin e ri.

Në reagimin e saj, AGK-ja tha se zgjedhja e kryetarit të ri, është përpjekje e hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet. Sipas këtij institucioni, zgjedhja e Besnik Berishës për kryetar të KPM-së ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të Rregullores së KPM-së, e cila parasheh që kryetari i ri zgjidhet në mbledhjen e parë pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar kryetari aktual.

Ndërsa për zgjedhjen e kryetarit Besnik Berisha, reagoi edhe organizata e cila merret me mbrojtjen gazetarëve dhe lirisë së shprehje në Ballkanin Perëndimor “Safe Journalist”, ku thanë se KPM-ja ka bërë një hap të rrezikshëm drejt politizimit të një institucioni të pavarur.

Për zgjedhjen e kryetarit Besnik Berisha, nga Prokuroria e Prishtinës thanë se po hetohet nëse ka elemente të veprës penale.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi tha poashtu janë duke vlerësuar nëse kjo është kompetencë e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, apo e Speciales.

“Po, jemi në fazën e shqyrtimit, është angazhuar një prokuror, poashtu jemi duke e vlerësuar aspektin e kompetencës, nëse është kompetencë e Prokurorisë sonë apo e Prokurorisë Speciale”, tha ditë më parë Gashi

Related Articles