Replikat e Grenellit ndaj Kurtit e Konjufcës – Sinjal i qasjes së re të SHBA-së ndaj Kosovës?

Replikat e Grenellit ndaj Kurtit e Konjufcës – Sinjal i qasjes së re të SHBA-së ndaj Kosovës?

Ditëve të fundit, i emëruari i ri për Misioni Speciale të Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell, i cili më herët ishte i dërguari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, ka filluar sërish “të merret” me Qeverinë e Kosovës, më konkretisht me kreun e saj, Albin Kurtin, shkruan Gazeta Enigma.

Fillimisht Grenell i reagoi kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili kishte thënë se administrata e deritanishme amerikane e udhëhequr nga Joe Biden, “e ka vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme karshi Serbisë”.

Në përgjigje të kësaj, Grenell pyeti Konjufcën se “pse nuk janë ankuar më parë, por se ai bashkë me Kurtin shkonin në konventa e në festa të demokratëve”.

Grenelli nuk u ndal me kaq, pasi ai shtoi se Kurti “i zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme”.

“Ai solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga udhëheqësit evropianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden. Kurti mbështeti Joe Biden dhe Kamala Harris dhe megjithatë ai ishte ende i kritikuar nga ata”, thuhet në reagimin e Grenellit.

“Faji nuk është diku tjetër, por është tek kjo Qeveri”

Depuetetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se faji për “prishjen” e raporteve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, e mban pikërisht Qeveria “Kurti”.

“Kjo Qeveri është iniciatore e prishjes së raporteve të Kosovës me aleatin tonë më të madh, SHBA-në, por edhe me shtetet të tjera të BE-së, për shkak të këtyre politikave të gabuara, Kosova është nën sanksione.  E vetmja vizitë zyrtare për partinë e këtij kryeministri, ka qenë që ka marrë pjesë në konventë të Demokratëve. Nuk ka pasur asnjë takim tjetër, dhe më e keqja është se tash që u inaugurua presidenti Trump, udhëheqësit tanë asnjë nuk morën ftesë”, theksoi ajo.

Kadrijaj kujton kohën kur AAK kishte propozuar që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në dialog.

“Përgjigja e Kurtit ka qenë se ne jetojmë në Evropë dhe se qasja ynë duhet të jetë në Evropë dhe jo në SHBA. Edhe kjo është një ndër arsyet. Ndërkohë, së fundmi, kur nuk iu shkoi për qejfi udhëheqësi i BE-së për dialogun, thanë ‘tani ne po e kërkojmë Amerikën”, duke tentuar t’i minimizojë prishjen e raporteve”, potencoi ajo.

“Pra, që Serbia të favorizohet nga BE-ja dhe Uashingtoni zyrtar për shkak të politikave të gabuara të Kurtit, faji nuk është diku tjetër por është tek kjo Qeveri”, deklaron deputetja Kadrijaj për “Enigmën”.

“SHBA-ja, raporte shumë më të mira me Haradinajn në krye”

Tutje anëtarja e AKK-së shprehet e bindur se SHBA-ja do të ishte në raporte “shumë më të mira” me Kosovën, nëse Haradinaj vjen në krye të Qeverisë.

“Në periudhën kur Haradinaj ka udhëhequr me shtetin e Kosovës, kemi pasur progres në raport me SHBA-në. Kemi formuar ushtrinë pikërisht me bekimin e tyre. Ne kemi formuar tri ligjet që të formohet ushtria. Të gjithë kanë qenë skeptik se kjo nuk do bëhet, por Haradinaj ka qenë i sigurt, sepse ka marrë bekimin nga SHBA-ja, dhe falë atij angazhimi dhe raportete e mira me SHBA, e kemi Ushtrinë e Kosovës. Tani Haradinaj ka dalë me procedura të përshpejtuara që Kosova të jetë në NATO, ka punuar në këtë drejtim, edhe në takimet e fundit që Haradinaj i pati në SHBA, me liderë të niveleve të larta, e ka përgatit terrenin, dhe posa Hardinaj të bëhet kryeministër, shumë shpejtë Kosova do të jetë në NATO”, tha Kadrijaj.

“Grenelli mund të ndikojë në politikat ndërkombëtare të SHBA-së”

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Ramadani, thotë se kritikat e fundit të Grenell karshi krerëve instucional të Kosovës, janë sinjal se administrata e Trumpit nuk do jetë përkëdhelëse ndaj një Qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Kurti, me mbështetjen e hapur ndaj Demokratëve, ka bërë një gabim trashanik, duke e paraqitur Kosovën si një dashamire të Demokratëve dhe dashakeqe të Republikanëve, kur në fakt nuk është kështu”, thotë Ramadani për Gazetën Enigma.

“Grenell, tashmë me një post të lartë në administratën amerikane, e ka shumë të lehtë të ndikojë në politikat ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ai sigurisht se do të ketë komunikim me të emëruarin e ri për dialogun Kosovë – Serbi, pasi që vetë e ka ushtruar këtë pozitë”.

Ramadani këshillon që Kurti ta bëjë të qartë një herë e mirë se dëshiron që me SHBA-në të ketë raporte të mira në nivelin më të lartë të mundshëm, “përndryshe kjo do i ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit”.

“Një mandat potencial i dytë i Kurtit në krye të Qeverisë e me qasjen e njëjtë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian do të ndikonte edhe më tej në përkëdhljen e Serbisë dhe ndëshkimin e mëtejshëm të Kosovës”, deklaroi Ramadani.

Ndërkohë që ende nuk dihet se kush do jetë i dërguari i ri i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Bashkimi Evropian sot ka emëruar pasuesin e Mirosllav Lajçak.

Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen të nisë mandatin e tij nga fillimi i shkurtit.

Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar. /GAZETA ENIGMA

Related Articles