Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar pengimin e punës së ekipit të Nacionales në tubimin e Vetëvendosjes në Malishevë dhe linçimin e gazetares Besarta Hoti, raporton Gazeta “Enigma”.
AGK-ja përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook ka njoftuar se tek ta është raportuar se një ekipi të Nacionales është openguar nëkryerjen e punës së tyre në tubimin zgjedhor të LVV në Malishevë.
“AGK është njoftuar për pengimin që i është bërë në kryerjen e punës një ekipi të gazetës Nacionale, gjatë një tubimi zgjedhor të partisë politike, Vetëvendosje në qytetin e Malishevës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje ata kanë njoftuar se “disa pjesëmarrës dhe zyrtarë të Vetëvendosjes u kanë paraqitur pengesa gazetares Besarta Hoti dhe kameramanit Kushtrim Zenuni, mes tjerash duke iu drejtuar me fjalinë: “Jeni më keq se Serbia!””.
“Gjithashtu, një përkrahës i Vetëvendosjes me emrin Filiz Mustafa, e ka sulmuar dhe linçuar publikisht në Facebook gazetaren, Besarta Hoti, për shkak të mbulimit të tubimeve të Vetëvendosjes në disa qytete”.
“AGK-ja i konsideron veprimet e tilla të papranueshme dhe që rrezikojnë seriozisht sigurinë fizike të gazetarëve të këtij mediumi. AGK i bën thirrje Vetëvendosjes që të ofrojë kushtet e nevojshme për të gjitha mediat e interesuara për të përcjellur tubimet elektorale të saj, dhe të mos i pengojë ato”, thuhet në njoftimin e AGK. /Gazeta Enigma/