Deri të premten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 3 aplikime për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kështu ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, shkruan Gazeta Enigma.
Njëri nga aplikuesit për çertifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte edhe kandidati i pavarur, Kastriot Bushi, i cili ka aplikuar për çertifikim për Kryetar Komune në komunën e Kaçanikut.
Këtë për Gazetën Enigma e ka konfirmuar edhe vet Bushi, i cili tha se ka aplikuar në KQZ për çertifikim për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Është e vërtete kam aplikuar në KQZ në Prishtinë pranë zyrës për çertifikimin dhe regjistrimin e partive politike”, tha Bushi.
Njëherit ai ka thënë se i ka përmbushur të gjitha kriteret ligjore për aplikimin në KQZ.
“E kam dorzuar dokumentacionin e kërkuar dhe kam plotësuar kriteret ligjore për të aplikuar si Kandidat i pavarur për Kryetar Komune në Kaçanik”, tha Bushi për Gazetën Enigma.
Në pyetjen tonë se a është kandidati i vetëm i pavarur në Kaçanik, ai tha se nuk ka informata për kandidat tjetër të pavarur në këtë komunë.
“Me sa di unë nuk ka tjetër kandidat të pavarur në komunën e Kaçanikut”, tha ai./Gazeta Enigma/