Mbi 125 mijë të rinj do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Mbi 125 mijë të rinj do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025, mbi 125 mijë e 852 shtetas të Kosovës do të kenë mundësinë të votojnë për herë të parë. Ky numër përfshin edhe të rinjtë që arrijnë moshën 18 vjeçare në ditën e zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), votuesit e rinj përbëjnë rreth 6% të totalit të votuesve, që në këtë rast janë gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 persona, shkruan Gazeta Enigma.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka theksuar se ky numër i votuesve të rinj është i ngjashëm me atë të zgjedhjeve të fundit në nivel vendi, ato lokale të vitit 2021.

“Lista e votuesve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, përmban 2 milionë e 75 mijë e 868 votues. Pra, kjo listë përfshinë shtetasit me të drejtë vote, përfshirë dhe ata/ato që arrijnë moshën 18 vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, më 9 shkurt 2025. Në përgjithësi, në krahasim me zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë, zgjedhjet lokale 2021, numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125 mijë e 852 votues. Pra, këta shtetas janë votues të rinj që kanë mbushur 18 vjet ndërmjet dy proceseve zgjedhore”, u shpreh Elezi.

Tutje sipas Elezit, e drejta se nga cila moshë një shtetas ka të drejtë të votojë apo të kandidojë është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës.

“Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes janë të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, respektivisht nenin 45 të saj. Sipas Kushtetutës, çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë (votojë) dhe të zgjedhet (kandidojë), me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor”, deklaroi Elezi për Enigmën

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, shtetasit e Kosovës me të drejtë vote, si brenda vendit ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike, mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës vetëm nëse janë të regjistruar saktë në listën e votuesve.

Për të votuar, ata duhet të paraqesin një nga dokumentet e vlefshme të identifikimit, të lëshuara nga Republika e Kosovës, si letërnjoftimi, pasaporta ose leja e vozitjes./GazetaEnigma/

Related Articles