I dërguari i Presidentit Donald Trump, Richard Grenell dhe Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro patën një diskutim të respektueshëm mbi çështjet e emigracionit, sanksioneve dhe amerikanëve të ndaluar në vendin e Amerikës së Jugut, thuhet në një deklaratë të qeverisë venezueliane të lëshuar pas takimit të premten në Karakas.
Takimi në pallatin presidencial të kryeqytetit të Venezuelës vjen mes shtimit të përpjekjeve të administratës së Presidentit Trump për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm me të kaluar kriminale, që ka shkaktuar reagime në Amerikën Latine.
Pas takimit me Maduron, diplomati amerikan Richard Grenell tha se po kthehen në Shtetet e Bashkuara me gjashtë amerikan të liruar nga autoritetet e Venezuelës.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara kohët e fundit për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Karakasit dhe akuzave për grusht shteti.
Por dy vendet kanë interesa të përbashkëta për disa çështje, duke përfshirë një licencë që lejon kompaninë amerikane të naftës Chevron CVX.N të operojë në Venezuelë.
“Takimi u zhvillua me respekt të ndërsjellë dhe gjatë tij u diskutuan çështje të ndryshme me interes për të dy vendet: emigracioni, ndikimi negativ i sanksioneve ekonomike ndaj Venezuelës, qytetarët amerikanë të përfshirë në krime brenda territorit (venezuelian) dhe integriteti i sistemit politik venezuelian”, tha qeveria venezueliane, duke shtuar se në takim ishte rënë dakord për nevojën e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Vizita e Grenell nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara e njohin Maduro-n si udhëheqës legjitim të Venezuelës, tha më herët të premten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt. Ajo tha se Grenell ishte i përqëndruar në sigurimin e kthimit të 400 anëtarëve të ndaluar të bandës “Tren de Aragua” në Venezuelë dhe lirimin e të gjithë të arrestuarve amerikanë në Venezuelë, raporton VOA.
Grenell, i dërguari i Presidentit Trump për misione speciale, është shprehur më herët se kishte biseduar me disa zyrtarë të ndryshëm venezuelianë dhe se do të fillonte takimet, disa ditë pasi administrata e kaluar e Presidentit Biden vendosi sanksione të reja ndaj qeverisë Maduro.
“Diplomacia është rikthyer”, tha Grenell në një postim në rrjetin X, ndërsa njoftoi për bisedimet me zyrtarët venezuelianë. “Bisedat janë një taktikë”.