Në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës në fshatin Jabllanicë të Gjakovës ka ndodhur një ngjarje tragjike ku tre të rinj kanë humbur jetën, raporton Gazeta “Enigma”.
Tragjedia ka ndodhur pas rrëzimit të pllakës së një shtëpie të pabanuar, ka deklaruar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Ai tha se vdekja e tre fëmijëve erdhi si pasojë e shembjes së pllakës se një shtëpie të pabanuar.
“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha ai. /Gazeta Enigma/