Lëvizja Vetëvendosje, më datën 29 janar mbajti dy tubime në Drenicë – një në Skenderaj e një në Drenas, shkruan Gazeta Enigma.
Me të arritur atje, gjërat shkuan si mos më keq, pasi anëtarë të kësaj partie në krye me kryeministrin Albin Kurti, u pritën me protesta e me fishekzjarre.
Incidentet e tilla u dhanë arsye kandidatëve nga LVV që të “lëshoheshin” në fjalor, duke shtuar gjuhën urrejtëse ndaj Partisë Demokratike e Sami Lushtaku.
Nga të gjitha ankesat që më pas u dorëzuan nga PDK-ja në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ky institucion e dënoi LVV-në me hiq më pak se 35 mijë euro, dënimi ky më i madh që nga fillimi i fushatës.
Pse u dënua LVV?
Fillimisht, PZAP e dënoi LVV-në për gjuhën e shprehur nga kryeministri Albin Kurti, i cili ndër të tjera tha: “…jemi duke i hequr qafe, duke i pensionuar, duke i eliminuar nga skena e pushtetit politikanët, himni i të cilëve nuk është rreth flamurit të përbashkuar, por rreth korrupsionit te përbashkuar. Të dashur qytetarë të Drenasit, ata i ka bashkuar korrupsioni. Ata po i ndanë e po i përçan paraja e plaçkitur dhe zhvatur nga korrupsioni i tyre i përbashkët, por paraja po i ndanë e po i përçanë ata që ishin të pabesë janë bërë edhe të pashpresë”.
Më pas, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e akuzoi Sami Lushtakun se ka tentuar ta sulmojë eskortën e kryeministrit.
“Sami Lushtaku mbrëmë personalisht ka tentuar ta sulmojë eskortën e Kryeministrit. Ai me veturë zyrtare, 02Z të Komunës së Skenderajt, e ka prerë rrugën e Kryeministrit me qëllim sulmi. Dëgjova që disa gazetarë të Klan Kosovës e kanë pyetur kryeministrin se po përdor veturat zyrtare, ndoshta është më mirë me e pyet Saminë se prej së cilës pompë të benzinës i ke komanduar huliganët e tu para se të nisesh si i frustruar”, pati shkruar ministrja në Facebook.
Tutje, kandidati tjetër, Dimal Basha, në Facebook ka shkruar se “Kosovës nuk i duhen më bandidat”, duke iu referuar Sami Lushtakut.
Arsyeja e radhës për dënimin prej 35 mijë eurove, ishte ngritja e tre gishtave nga disa simpatizantë të LVV-së në këtë tubim, një simbol ky ekskluziv serb.
Arsyetimi i dënimit vazhdon me një status nga kandidatja tjetër e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila i quajti “huliganë të angazhuar nga PDK-ja”, protestuesit në Skenderaj.
Afrim Berisha, asistenti personal i ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjithashtu u bë arsye për dënimin, pasi që në Facebook shkroi se “bandat e PDK-së kanë varfëruar qytetarët në Drenicë”.
“Pyetni bandat e PDK-së pasi jeni kaq të fortë se si është e mundur që midis Drenice të ketë komunë paralele serbe. Pyetni bandat e PDK-së pse u dashtë të vijë Albin Kurti në pushtet për t’ua larguar Beogradin nga dera e shtëpisë”, pasti shkuar Berisha.
Mohimin për kontributin e disa figurave në luftë, pas ministres së Jashtme Donika Gërvalla që e bëri për Ramush Haradinaj, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e vazhdoi.
“…ani pse Qeveritë e kaluara thirreshin në emër të luftës, asnjëherë nuk bën asgjë për luftën, përveç që e votuan Gjykatën Speciale” deklaroi ministrja Haxhiu.
Kontribut në dënim dha edhe ministri tjetër – ai i Bujqësisë, Faton Peci, duke akuzuar PDK-në se “e vlerësojnë veriun si dhuratë e Rankoviqit”.
Një anëtare jo e njohur e LVV-së, Selvije Berisha, në një grup të quajtur Vetëvendosje në Facebook, shpërndau një fotografi me tekst shoqërues, ku e quante Sami Lushtakun “kriminel dhe mafioz”. Edhe kjo u përdor nga PDK-ja në ankesë.
Jo për çudi, edhe koordinatorja e Komuniteteve në LVV, Dejona Mihali, u përfshi në këtë dënim, e cila e akuzoi Lushtakun, për udhëheqje të huliganizmit dhe se PDK-ja e ka në program “trenin elektrik”, por në realitet, “banditizmin”.
A janë të arsyeshme dënimet nga PZAP-ja?
Përveç LVV-së, PZAP-ja nuk po kursen as partitë tjera, duke i dënuar me mijëra euro për çdo ankesë të bazuar.
Njohësi i çështjeve ligjore, Anton Nrecaj, thotë për Gazetën Enigma se dënimet e tilla nuk janë të larta, pasi gjuha e urrejtjes assesi nuk duhet të tolerohet.
“Përkundrazi, janë dënime shumë të vogla. Madje, këtu nuk ka anshmëri, pasi e kemi rastin edhe me parti të tjera, për shembull në një video nga një anëtare e LDK-së, ku Kurti krahasohet me Hitlerin, kjo parti është dënuar me 20 mijë euro. Pra, fjalimet të cilat ndjellin urrejtje ose personifikojnë një person apo një organizatë, me të cilën mundet me shkelë kodin e etikës, natyrisht se është e patolerueshme”, u shpreh Nrecaj.
Duke llogaritur tubimet që do mbahen sonte, partive u kanë mbetur edhe katër ditë për të bërë fushatë – deri të premten – ndërkohë që të shtunën pason heshtja zgjedhore e të dielën mbahen zgjedhjet paralamentare. /GAZETA ENIGMA