Votat e diasporës, KQZ: Bartja e fletëvotimeve do të bëhet me ndihmën e MPJD-së

Votat e diasporës, KQZ: Bartja e fletëvotimeve do të bëhet me ndihmën e MPJD-së

Tenderi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për transportimin e votave dhe materialeve zgjedhore të diasporës për në Kosovë është bllokuar, pasi një nga kompanitë ofertuese, “3P”, ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Kjo ndodh pasi KQZ kishte refuzuar ankesën e kompanisë si të pabazuar.

KQZ në një komunikatë për media ka thënë se, për shkak të bllokimit të tenderit, tërheqja e materialeve zgjedhore nga përfaqësitë diplomatike në të gjithë botën do të kryhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

“Deri më tani, në disa raste, KQZ ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat. Këto tërheqje janë zhvilluar në një proces transparent, me njoftimin paraprak të vëzhguesve të subjekteve politike, të cilët nuk kanë evidentuar ndonjë vërejtje në protokollet e tërheqjes dhe në praninë e zyrtarëve të KQZ-së,” thuhet në komunikatë.

KQZ sqaron gjithashtu se transporti i pakove me fletëvotime dhe materialeve të tjera zgjedhore në Kosovë do të bëhet nën shoqërimin e vazhdueshëm të zyrtarëve të KQZ-së, me statusin e dërgesave diplomatike.

“Ky lloj i transportit ka karakter diplomatik, me elemente shoqëruese si notat verbale, gjë që rrit sigurinë e ngarkesave,” shtohet në komunikatë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes së 4 shkurtit 2025, në KQZ janë sjellë 36,500 pako me fletëvotime nga Gjermania dhe Zvicra, të cilat i përkasin procesit të votimit përmes postës.

Procesi i tenderit dhe ankesat

Tenderi fillestar i KQZ për transportimin e fletëvotimeve dhe materialeve zgjedhore të diasporës kishte dështuar, pas së cilës u hap një tender i negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Në këtë tender kishin ofertuar dy kompani: “A.L. Dushi” dhe “3P”. “3P” kishte ofertuar me 417 euro për njësi, ndërsa “A.L. Dushi” me 791 euro, e cila më pas u ul në 782.60 euro pas negociatave.

KQZ më 17 janar 2025 kishte eliminuar kompaninë “3P” me arsyetimin se ajo nuk kishte plotësuar disa kërkesa teknike, si dorëzimi i deklaratës për specifikacionet teknike, emërimi i një menaxheri projekti dhe dorëzimi i listës së veturave që do të përdoreshin. Ndërkohë, “A.L. Dushi” u shpall si kompania e përgjegjshme dhe u rekomandua për nënshkrimin e kontratës.

Megjithatë, më 22 janar 2025, “3P” paraqiti ankesë te KQZ, e cila u refuzua më 24 janar si e pabazuar. Më 3 shkurt 2025, kompania paraqiti ankesën në OSHP, duke bllokuar kështu procesin e tenderit derisa të merret një vendim për ankesën.

Kompania “A.L. Dushi” kishte hasur probleme edhe në një tender të mëparshëm të MPJD-së për transportin e pasaportave të mërgimtarëve. Më 24 tetor 2024, MPJD kishte shkëputur kontratën me këtë kompani për shkak të vonesave në dërgimin e dokumenteve diplomatike, ku 406 pasaporta dhe 165 letërnjoftime nuk kishin arritur në destinacion.

MPJD kishte kërkuar që “A.L. Dushi” të futet në listën e zezë, por OSHP refuzoi këtë kërkesë më 3 shkurt 2025, duke thënë se nuk ka kompetencë për trajtimin e moszbatimit të kontratave.

Procesi i votimit jashtë vendit zhvillohet në 17 ambasadë dhe 15 konsullata në 19 shtete të ndryshme.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 104,924 qytetarë janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, nga të cilët 84,525 kanë zgjedhur të votojnë përmes postës. Votimi në Kosovë do të zhvillohet më 9 shkurt 2025.

Related Articles