Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën e 9 shkurtit.
Si në çdo fushatë tjetër, partitë kanë hedhur kritika, fyerje e akuza ndaj njëra tjetrës, ndërkohë që gjithashtu i kanë vënë “vija të kuqe” njëra-tjetrës për një koalicion të mundshëm paszgjedhor.
Lëvizja Vetëvendosje pretendon se nuk i duhet një koalicion paszgjedhor, pasi janë të bindur se do e kalojnë sërish 50 përqindëshin.
Partia Demokratike ia ka vënë vijë të kuqe koalicionit me LVV-në, ndërkohë që e ka lënë të hapur mundësin e koalicioneve me partitë tjera, posaçërisht Lidhjen Demokratike.
PDK: JO me LVV-në, PO me LDK-në
Kujtim Gashi, kandidati për deputet i PDK-së, ka thënë se ka gjasa që partia në të cilën bën ai pjesë të ketë koalicion me LDK-në, ndërkohë që tha se nuk do të kenë me LVV-në.
“Ne parapëlqejmë të kemi një Qeveri me partitë e opozitës, veçanërisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Edhe në të kaluarën kemi qeverisur, janë bërë punë të mëdha bashkë me ta. Besojmë fuqishëm që me datën 9 shkurt koalicioni i ardhshëm për Qeverinë e Kosovës do të jetë mes PDK-së dhe LDK-së me kryeministër Bedri Hamzën”, ka deklaruar Gashi.
“Nuk mundem të them që ka diçka konkrete, besoj se logjika më qon në atë drejtim, ajo është konkrete dihet se me subjektet që qeverisin tani në Kosovë nuk do të kemi koalicion. Për faktin se cila do të ishte justifikimi ynë që e kemi kritikuar vazhdimisht dhe se nuk po bënë asgjë, besoj se kryeministri aktual dhe partia e tij do t’i ndihmojnë Kosovës shumë nga këndi i opozitës”, ka shtuar ai.
AAK, vijë të kuqe VV-së, por jo PDK-së dhe LDK-së
Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar çdo mundësi për koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse nuk i merr votat e mjaftueshme për të formuar Qeverinë.
Por, ai i konsideron si partnerë partitë opozitare: Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
LDK, e hapur për çdo parti
Jeta Raduna, kandidate për deputete nga kjo parti, ka thënë se Lidhja Demokratike do jetë e hapur për koalicion me çdo parti, “për sa kohë që të zbatohet programi i tyre, ndërkohë që është shprehur e bindur se kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku do jetë më i votuari në këto zgjedhje.
“Sa i përket koalicioneve, mendoj që LDK do të bëjë koalicion me ata që do ta zbatojnë programin tonë, të cilin e kemi të shkruar. Gjithçka varet pas zgjedhjeve dhe është pastaj vendim i partisë, mirëpo mendoj që duhet të bëhet koalicion me ata të cilët pajtohen me programin tonë qeverisës”, ka deklaruar Rafuna.
PDK-LDK ose LVV-AAK
Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, thotë se janë disa kalkulime mes VV-së, PDK-së dhe AAK-së për një koalicion, që do rezultoni me Kurtin president, në vitin e ardhshëm.
“Me largimin e presidentes Vjosa Osmani nga posti, Bedri Hamza kryeministër, Albin Kurti president, dhe AAK merr një zëvendëskryeministër, ndërkohë që katër ministri të tjera ndahen në mes të LVV-së dhe PDK-së”, tha Burjani për Gazetën Enigma.
Varianti i dytë, sipas Burjanit, do të ishte një koalicion mes LVV-së, LDK-së dhe AAK-së.
“President i ardhshëm Albin Kurti, kryeministër Lumir Abidixhiku, AAK dhe minoritetet”.
Dhe varianti i tretë: “LDK, PDK, AAK dhe minoritetet – kryeministër Bedri Hamza”.
Burjani thotë se një koalicion paszgjedhor me shumë gjasë do të vendos edhe presidentin e ardhshëm.
Analisti tjetër politik, Shkodran Ramadani, thotë se në bazë të parashikimeve se si do të renditen partitë, mund të shohim një koalicion të LVV-së me AAK-në, ose një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së.
“Në bazë të dispnomimit aktual, as PDK-ja e as LDK-ja nuk duket që janë gjeneroze sa i përket ofertave të LVV-së. Nuk besoj së do të ketë koalicion të PDK-së dhe LDK-së me Vetëvendosjen. Në rast se vjen në këtë skenar të 35 përqind për Vetëvendosjen, dhe PDK dhe LDK marrin rreth 20 apo 25 përqind, atëherë shumë lehtë mund të ndodhë që të kemi një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së. Por në rast se LVV ka 35 edhe më shumë, atëherë gjasat janë që koalicioni më i mundshëm është Vetëvendosje – AAK. Haradinaj ka kohë që kërkon të bëhet president, dhe mbetet të shihet nëse Kurti do të pajtohet me një gjë të tillë”, tha Ramadani për “Enigmën”.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kësaj here nuk janë parë shumë sondazhe.
Sondazhi nga ‘Alternativa’
Qendra pë Hulumtime “Alternativa”, ka publikuar sondazhin e fundit për zgjedhjet 2025, sondazh ky i cili nxjerr Lëvizjen Vetëvendosje të parën me 52.7 për qind, pasuar nga PDK si e dyta, e partia e tretë nga ky sondazh del të jetë LDK.
LVV në rritje dhe fituese, PDK dhe LDK shënon rënie, AAK e NISMA e kalojnë prgaun, ndërsa Lista për Familjen rrezikon pragun!
Sipas Qendres për Hulumtime Sociale Ekonomike Politike “ALTERNATIVA”, observator i matjeve të opinionit publik, i realizuar përfunduar këtë fundjavë, e nxjerr firuese Lëvizjen Vetvendosje (LVV) në pyetjën drejtuar qytetarëve për “Zgjedhjet Parlamentare 2025”, e cila ka realizuar sondazhin për partitë politike në Kosovë me një pyetje të vetme, drejtuar të anketuarëve, se; Cilit subjekt politik në Kosovë do ti besonit, pas dy javë fushate për ditën e diel 09 shkurt 2025? Përgjigja ka rezultuar me rënie sasiore të subjekteve politike PDK dhe LDK, dhe gjithashtu AAK –së, krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Patria në Pushtet VV ka rriur një epërsi të lehtë në vlerë respoduese prej VV – 52.7%, derisa vlerat numerike për partitë opozitare si: PDK – 16.8%, LDK – 14.2%, AAK – Nisma, Intelektualët dhe Konservatorët – 7.6% dhe Lista për Familjen – 3.5%, derisa këto subjeke tregojne rezultat më të ultë tani se në zgjedhjet e kaluara, e që ishin PDK – 19%, LDK – 15% dhe AAK 8%.
Sondazhi nga ‘Valicon’
Valicon, agjencia lider e hulumtimit në rajonin Adria, në bashkëpunim me panelin e saj online Opinia.Club, ka publikuar sondazhin më të madh parazgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare të Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Nga gjithsej 27 parti politike dhe një kandidat i pavarur që marrin pjesë në zgjedhje, 4 prej tyre tërheqin më shumë se 90% të të gjitha votave. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me atë nëse VV do të arrijë të bindë shumicën e votuesve që t’i votojnë. Ende ka 20% të votuesve që janë të pavendosur, që përbëjnë një fuqi vendimtare. Rreth 3 javë deri në zgjedhje, VV është një fitues i dukshëm dhe nuk mund të humbasë. Aktualisht, PDK zë vendin e dytë, por sipas potencialit, LDK ka mundësi më të mëdha dhe ende mund të zërë vendin e dytë. /GAZETA ENIGMA