Qindra qytetarët të Deçanit mbrëmë dhe sot janë ia kanë mësyrë qendrave mjekësore në këtë komunë, mbi dyshime se janë helmuar nga uji i pijes, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndonëse ende nuk është zyrtarizuar se prej nga vjen ky helmim, tashmë nga KRU “Hidrodrini” në Deçan ka lëshuar një njoftim ku ka kërkuar që banorët e fshatrave, Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri të mos e konsumojnë ujin deri në njoftim të radhës.
“Pas shfaqjes së dyshimeve të para, të pavërtetuara deri më tash, KRU ‘Hidrodrini’-Njësia Operative – Deçan, në koordinim edhe me autoritetet komunale, ka marrë të gjitha masat urgjente duke hulumtuar shkaqet e mundshme. Njoftojmë se deri në këtë çast, nuk ka asnjë bazë të vërtetuar se shqetësimet në fjalë mund të kenë ardhur /ose/ mos ardhur, si pasojë e ujit. Andaj, deri në kthimin e analizës së Ujit nga ana e IKSHPK-së, ky APEL mbetet në fuqi”, thuhet në njoftimin e “Hidrodrinit”.
Për këtë çështje Gazeta “Enigma”, ka kontaktuar me Drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj’, në Deçan, Selmon Berisha, i cili ka thënë se pacientët po trajtohen nga qendrat mjekësore, porse nuk dihet ende burimi i infektimit.
“Është një fluks më i rritur sesa i pacientëve që kërkojnë ndihmë zakonisht në QKMF. Numri i pacientëve që kanë ardhur prej orës 15:00 dje deri sot në orën 7:00 është në total 164, është një numër në përqindje më i madh sesa që ne e kemi normalisht, mirëpo kjo mund të jetë edhe për shkak të temperaturave të mëdha, apo nga ardhja e mërgatës. Pra s’ka vend për panik”, ka thënë ai për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka shtuar se tashmë i kanë bërë thirrje IKSHPK-së, që sa më parë t’i bëjnë analizat ujit në këtë Komunë, me qëllim që të procedohet tutje me terapinë e pacientëve.
“Deri të bëhen analizat e ujit, ne nuk mund të dalim me komunikatë se prej çka është ajo. Një numër i pacientëve kanë simptoma të njëjta, por nuk e dimë nëse është infeksion bakterial apo viral. Në momentin që marrim informata së sakta ne do të dalim me një komunikatë”, theksoi ai.
Ai po ashtu ftoi qytetarët e kësaj zone që të mos kenë panik. “Ne po i japim shërbimet e tona pacientëve, s’e dimë nga çka është por ne jemi duke i ofruar shërbime vazhdimisht. Për mua është me rëndësi që të njoftohen qytetarët që të mos kenë panik për shkak se ekipet mjekësore janë të angazhuara, së bashku me institucionet relevante në nivel të Komunës që çdo qytetar që ka nevoje për ndihmë mjekësore ne jemi të gatshëm 24 orë t’i ofrojmë shërbime”, shtoi tutje ai.
Ndërkaq Gazeta “Enigma” ka tentuar të marr informata për gjendjen e pacientëve të infektuar edhe nga kryetari i Komunës Bashkim Ramosaj, por që ai ka qenë i pa qasshëm në telefon. /Gazeta “Enigma”.