Arrestimi i ministrit Damka, kryeprokurori thotë se personat u kërcënuan me jetë  

Arrestimi i ministrit Damka, kryeprokurori thotë se personat u kërcënuan me jetë  

Ministri i Zhvillimit Rajonal në Qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, dhe një person që dyshohet së është familjar i ministrit, janë ndaluar për 48 orë pasi dyshohet se dje, më 09.02.2025, kanë sulmuar fizikisht dhe kanë kanosur një burrë dhe një grua.

Ngjarja dyshohet se ndodhi në një park, në lagjen “Kurile” në Prizren pikërisht në ditën e zgjedhjeve.

Vetëm 20 metra nga parku ku dyshohet se ndodhi rasti, ndodhet edhe selia e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, kryetar i secilës është ministri Damka.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, personat janë kërcënuar me jetë.

“Kemi marrë një informatë diku rreth orës 18:30 minuta se kemi dy persona, dy viktima një grua dhe një burrë të cilët janë viktima të sulmit dhe kanosjes nga se paku tre persona. Fillimisht kemi pasur tre persona të dyshuar dhe vazhdojmë t’i kemi, mirëpo rasti ka ndodhur në një hapësirë në një ambient ku kanë qenë prezentë rreth 20 persona të tjerë, por në bazë të viktimave dhe hetimeve fillestare kemi arritur të sigurojmë prova për dy persona për të cilët është krijuar dyshimi i arsyeshëm e më pas i bazuar dhe janë dërguar në mbajtje”- tha Kryeziu për KALLXO.com.

Dy persona e arrestuar dyshohet se kanë lidhje familjare.

“Dyshohet se kanë lidhje familjare sepse e kanë mbiemrin e njëjtë, por tani kjo në këto momente nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është se ne si Prokurori kemi reaguar si në çdo rast tjetër pavarësisht kush është në pyetje, pavarësisht pozitës, pavarësisht funksionit”- shtoi mes tjerash kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Megjithëse rasti ndodhi në afërsi të Shkollës Fillore “Motrat Qiriazi” që shërbeu si qendër e votimit dhe gruaja që dyshohet se u sulmua fizikisht ishte kandidate për deputete nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore, ngjarja nuk lidhet me procesin zgjedhor.

Dyshohet se fillimisht ministri Fikrim Damka ka sulmuar një person tjetër, e pastaj Arda Malokun, anëtaren e subjektit Partia Turke e Lëvizjes Novatore.

Sa kam informata nga disa dëshmitarë që kanë qenë prezentë, zotëri Damka ka pasur një problem me një person tjetër i cili ka qenë aty afër dhe ka sulmuar me tentime të ndryshme, me fjalë të ndryshme. Anëtarja e jonë, Arda Maloku. ka qenë aty dhe Damka e ka sulmuar me dorë dhe i ka bërtitur”- tha për KALLXO.com kryetari i Partisë Turke të Lëvizjes Novatore, Ertan Simitçi.

Në një reagim gjatë ditës së hënë, KDTP-ja ka shprehur pikëllim dhe zhgënjim të thellë për arrestimin e Fikrim Damkës, duke thënë se “ky është një provokim nga qarqe të caktuara që synojnë të lënë në hije zgjedhjet”.

Related Articles