Mbi 800 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë pas dyshimeve se mund të jenë helmuar nga uji.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media.
Ai ka thënë se 884 qytetarë nga dita e shtunë deri më sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF.
Ramosaj ka thënë se kanë marrë vendimin që uji të mos përdoret më.
“Ne kemi marrë vendim që uji të mos përdoret. Kemi ftuar prokurorinë, hetuesit, policinë e shtetit, IKSHPK-në, kompaninë “Hidrodrini” të cilët janë duke e kryet punën që të kemi një ekspertizë të saktë”, ka thënë ai.