Nis vaksinimi pa termin në Maqedoninë e V.

Nis vaksinimi pa termin në Maqedoninë e V.

Të hënën, më 12 korrik, në Maqedoninë e Veriut nisi vaksinimi i qytetarëve pa termin të caktuar paraprakisht. Vaksinimi po kryhet në mbarë vendin.

Në qendrën për vaksinimin në Poliklinikën e Çairit në Shkup, Lumnije Vrenezi solli nënën e saj 76-vjeçare, që të vaksinohet.

“Për ta marrë vaksinën, nënën e kam paraqitur te mjeku amë para tre muajve, por termin nuk morën. Sot (12 korrik) erdhëm pa termin dhe nëna mori vaksinën. Iu besojmë të gjitha vaksinave. Ndoshta na bie prapë koronavirusi, por me vaksinë, sigurisht, më lehtë do ta kalojmë”, tha Vrenezi për Radion Evropa e Lirë.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga 12 korriku do të mund të vaksinohen, duke prezantuar vetëm një dokument identifikimi dhe më nuk kanë nevojë të bëjnë terminë në ueb-faqen vakcinacija.mk.

“Shpërndarjen e kanë bërë drejtorët e shtëpive të shëndetit. Asnjë vendbanim nuk ka mbetur pa u përfshirë. Procesi i vaksinimit do të bëhet në të gjithë territorin e vendit. Ekipet mjekësore do të vizitojnë çdo fshat dhe çdo lagje”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, teksa mori pjesë në hapjen të një qendre vaksinimi në Shuto Orizare.

Ai po ashtu tha se Maqedonia e Veriut nuk ka regjistruar raste të reja me variantin Delta të koronavirusit, duke shtuar se mekanizimi i vetëm për rritjen e imunitetit dhe parandalimin e një vale të re të infektimeve, mbetet vaksinimi masiv.

Ministri Filipçe tha se variantet e reja e koronavirusit janë pjesë e realitetit dhe se jeta nuk mund të ndërtohet mbi kufizime. Prandaj, sipas tij, për t’iu kthyer normalitetit, mënyra më e mirë mbetet vaksinimi.

Maqedonia e V. deri në fund të verës synon të arrijë imunitetin kolektiv
Studentja Velika, 24 vjeçe, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka vendosur që të vaksinohet, pasi kështu ndihet më e sigurt dhe mund të lëvizë më lirshëm.

Ajo thotë se nuk ka rëndësi se cilën vaksinë do ta marr.

Related Articles