Evropa rreshtohet krah Zelenskyt pas debatit të fortë me Trump në Shtëpinë e Bardhë

Evropa rreshtohet krah Zelenskyt pas debatit të fortë me Trump në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është larguar prej Shtëpisë së Bardhë, pas një diskutimi të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump.

Zelensky i ka kërkuar Trumpit të jetë më i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa Trump e ka akuzuar se nuk është duke treguar respekt, dhe si rezultat është tensionuar situata.

Dy liderët janë takuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, dhe më pas ishte planifikuar që të nënshkruanin një marrëveshje që do t’iu jepte qasje Shteteve të Bashkuara në industrinë e mineraleve të Ukrainës.

Pas këtyre zhvillimeve, krerët shtetëror e përfaqësues se organizatave të BE-së kanë reaguar duke u rreshtuar krah presidentit ukrainas.

Së pari, në një postim në X, kryeministri polak dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk iu drejtua Zelenskit dhe i tha “të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”, raporton BBC.

I pyetur për konfrontimin gjatë qëndrimit në Portugali, presidenti francez Emmanuel Macron u tha mediave franceze se Rusia është agresori dhe populli ukrainas është ai që sulmohet.

Ai shton se vendet evropiane dhe aleatët e tjerë kishin të drejtë që ndihmuan Ukrainën tre vjet më parë dhe sanksionuan Rusinë dhe vazhduan ta bëjnë këtë.

Ai shton se është e rëndësishme të “respektohen” ata që kanë luftuar që nga fillimi për dinjitetin e tyre, të drejtat dhe sigurinë e Evropës. 

Ish-përfaqësusesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell ka kritikuar sjelljen e presidentit amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidentit Vance gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksy në Shtëpinë e Bardhë.

Borrell përmes një shkrimi në X tha se Trump dhe Vance kanë dhënë një shfaqje të turpshme.

Ai thekson se ka qenë dhe është me Zelenskyn.

“Trump dhe Vance kanë dhënë një shfaqje të turpshme. Jam i turpëruar nga ajo sjellje. Shtetet e Bashkuara meritojnë diçka më të mirë. Bota e lirë duhet ta mbështesë Ukrainën.
Unë isha dhe ende jam me @ZelenskyyUa”, shkroi Borrell.

President i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i ka dalë në krah presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt, pas takimit me tone të larta që ky i fundit e pati me presidentin amerikan, Donald Trump.

Costa i tha Zelenskyt se dinjiteti i tij e nderon trimërinë e popullit ukrainas dhe se nuk do të jetë kurrë vetëm.

“Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas. Ji i fortë, trim, ji i patrembur. Nuk je kurrë vetëm, i nderuar president Zelensky”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi Costa në “X”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka dalë në mbështetje presidentit ukrainas Zelensky, pas takimit të tensionuar me presidentin amerikan Donald Trump. 

Ajo i ka thënë Zelenskyt se “kurrë nuk do te jeni i vetëm”.

“Dinjiteti juaj nderon guximin e popullit ukrainas. Qëndroni të fortë, të guximshëm, pa frikë. Kurrë nuk jeni vetëm, i nderuar President @ZelenskyyUa. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”, ka shkruar ajo në rrjetin “X”.

Pas takimit të tensionuar që patën Presidenti Trump dhe Presidenti i Ukrainës Zelensky në Zyrën Ovale, mes shumë liderve botëror, ka reaguar dhe kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.

Në mesazhin e tij, ai ka shprehur mbështetjen e plotë që ofron Suedia ndaj Ukrainës, pasi sipas tij, Zelensky po lufton për lirinë e gjithë Evropës.

“Suedia qëndron me Ukrainën. Ju nuk po luftoni vetëm për lirinë tuaj, por edhe për të gjithë Evropën. Slava Ukraina!”, shkruan Kristersson.

Kancelari në ardhje i Gjermanisë, Friedrich Merz ka deklaruar se qëndron krah Ukrainës në kohë të mira dhe të vështira. Ai shton se nuk mund të krahasohet agresori me viktimën, reagim ky i nisur nga takimi mes Trump-it dhe Zelensky-t ditën e sotme, takim i cili u mbyll pa një marrëveshje.

Në një postim në X, Merz i drejtohet Presidentit të Ukrainës në formë mbështetje.

“I dashur Volodymyr Zelensky, ne qëndrojmë me Ukrainën në kohë të mira dhe në prova. Nuk duhet të ngatërrojmë kurrë agresorin dhe viktimën në këtë luftë të tmerrshme”, tha ai.

Related Articles