Maqedonci: S’kemi informacione zyrtare për tërheqje të trupave të NATO-s

Maqedonci: S’kemi informacione zyrtare për tërheqje të trupave të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se nuk ka informacione zyrtare se mund të ketë tërheqje të trupave të NATO-s nga Kosova, pavarësisht raportimeve kohën e fundit lidhur me këtë. Ai ka theksuar se Kosova vazhdon koordinimin me KFOR-in për sa kohë që është prezent në vend.

“Ne nuk kemi informacion zyrtar për tërheqje të mundshme të trupave të NATO-s nga Kosova, dhe të asnjë vendi specifik nga KFOR-i. Vazhdojmë të kemi koordinim me KFOR-in”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Maqedonci ka shtuar se Kosova e ka rritur buxhetin për mbrojtjen dhe ka bërë investime në ushtri dhe mbrojtje.

“Përveç investimeve brenda ushtrisë, kohët e fundit kemi filluar edhe investimet në industrinë e mbrojtjes, saktësisht kemi realizuar një kontratë për hapjen e një fabrike të municionit. Përveç që kjo fabrikë me prodhim do përmbushë nevojat e vendit tonë, do ketë mundësinë që të eksportojë jashtë. Ende pa u bërë ky debat i fundi mes Administratës amerikane dhe vendeve evropiane, ne vetëm jemi aty ku është kërkuar nga administrata Trump dhe tani po kërkohet nga BE-ja, pra rritja e buxhetit për mbrojtjen”.

Ndërkohë, Maqedonci ka njoftuar se gjatë stërvitjeve “Defender Europe” 2025 ku Kosova do të jetë mikpritëse, do të pritet edhe një prej komandave më të rëndësishme amerikane.

“Përveç se do jemi vend pritës i Defender 2025, përveç se FSK do marrë pjesë në të, në Kosovë do të presim një prej komandave më të rëndësishme të ushtrisë amerikane dhe nga Kosova do të udhëhiqet pjesa kryesore e ushtrimit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.

Ministri ka potencuar se Kosova është e përgatitur të ballafaqohet me rreziqe, ndërkohë ka përsëritur se gjithnjë do të koordinohet me KFOR-in. I pyetur nëse mund t’i bëjë ballë Serbisë pa ndihmën e KFOR-it, ai ka thënë: “Patjetër”.

“Patjetër, ne jemi në vendin tonë, po ndërtojmë një ushtri, kemi blerë pajisje. Kemi përgatitur ushtarakët tanë, kemi qytetarë që janë të gatshëm për t’iu bashkangjitur dhe mbështetur kapaciteteve tona në çdo rrezik dhe kërcënim. Por, normalisht jemi të vetëdijshëm për prezencën e NATO-s në Kosovë dhe ne do koordinojmë çdo veprim tonin me këtë prezence deri sa ajo të jetë këtu”.

Maqedonci është shprehur se janë arritur shumë prej objektivave që kanë qenë të planifikuar për në faza të mëvonshme gjatë tranzicionit të FSK-së.

“Kemi arritur që shumë nga objektivat që kanë qenë të planifikuar të realizohen më herët. Sot keim trefish më shumë pushkë individuale se që ka qenë e planifikuar të kemi më 2028. Sot kemi gjithë sasinë e nevojshme të municionit që ka qenë e planifikuar të jetë në depot e FSK-së më 2028, kemi shumë sisteme të vendosura në vend, kemi sisteme të armatimit që janë blerë dhe po blihen në vazhdimësi. Faza e fundit e tranzicionit do ketë fokus mbrojtjen ajrore”.

E, sa i përket raketave Javelin, ministri Maqedonci është shprehur me shpresë se mund të vinë këtë vit në Kosovë.

“Në dhjetor kemi ekzekutuar edhe këstin e tretë kurse tani jemi në diskutime për çështjen e prokurimit të këtyre sistemeve. Shpresojmë të kemi një sasi të tyre brenda këtij viti”.

Related Articles