Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, me të cilën diskutoi mbi “bashkëpunimin e vazhdueshëm” ndërmjet institucioneve qeveritare dhe agjencive të OKB-së.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se Kurti ka vlerësuar kontributin e OKB-së në zhvillimin e vendit dhe theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj parimit “që askënd mos ta lëmë prapa, duke vendosur drejtësinë sociale në qendër të politikave shtetërore”.
“Në takim u diskutua edhe mbi rëndësinë e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar domosdoshmërinë e trajtimit të kësaj çështjeje si krim lufte dhe detyrimin për të garantuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për të mbijetuarat. Po ashtu, u trajtua çështja e verifikimit të diplomave, ku Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e mandatit të Komisionit për këtë proces të rëndësishëm, duke siguruar që çdo qytetar të ketë mundësinë e barabartë për të ushtruar të drejtat e tij akademike dhe profesionale”, thuhet në komunikatë.
Ata diskutuan gjithashtu “mbi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në administratën publike në çdo cep të vendit, një prioritet i Qeverisë së Kosovës në rrugën e modernizimit të institucioneve shtetërore”.
Qeveria e Kosovës tha se ka mundësuar mekanizma ligjorë për “bashkëpunimin e rregulluar dhe efektiv me agjencitë e OKB-së në vend, duke thelluar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve”.