Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi e ka quajtur “kryemashtrues” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke thënë se ai më përpara shkon në Norvegji se në Deçan ku mbi 900 persona dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm.
Gjoshi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i pari i Qeverisë së Kosovës nuk po dëshiron të lodhet e të shkojë deri në Deçan, por që sipas tij, Kurti duhet t’i vizitojë të helmuarit atje dhe ta shoh nga afër gjendjen në spitalin e këtij qyteti.
Gjoshi gjithashtu thotë se Kurti prej që ditës që ka hipur në xhip të zi, i ka harruar njerëzit e thjeshtë e të varfër që ecin trotuareve.
Postimi i plotë Gjoshit:
“KRYEMASHTRUESI I KOSOVËS MË PËRPARA SHKON NË NORVEGJI SE NË DEÇAN
Ka humbur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nuk po don të lodhet të shkojë deri në Deçan, ku qindra qytetarë janë helmuar.
Ai duhet të shkojë dhe t’i vizitojë. Ta shoh nga afër gjendjen në spitalin e këtij qyteti.
Por, jo!
Kryemashtruesi që na paraqitej si njeri i afërt me qytetarin e thjeshtë e të varfër, më përpara e merr rrugën për Norvegji se për në Deçan.
Kryemashtruesi, prej ditës që ka hipur në xhip të zi, i ka harruar njerëzit e thjeshtë e të varfër që ecin trotuareve”, ka shkruar Gjoshi.
Gjatë ditës së hënë në spitalin e Deçanit një person ka ndërruar jetë teksa i njëjti kishte kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit që dyshohet se ka ndodhur nga uji i pijes ndërsa është rritur numri i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e këtij qyteti.