Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas situatës në Deçan ku janë helmuar mbi 900 persona nga uji, raporton Gazeta Enigma.
Meta ka thënë se po e përcjell me shqetësim situatën emergjente, derisa iu uroi shërim dhe tejkalim pa pasoja të kësaj situate qytetarëve të Deçanit.
“Familjeve të tyre ju shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tim më të thellë”, thotë ai.
Meta ka thënë se Qeveria shqiptare duhet t’i gjendet pranë institucioneve të Kosovës me ekspertizë dhe ndihmë të nevojshme.
“Me besimin e plotë se institucionet shtetërore përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet dhe po bëjnë përpjekjet e duhura për zbulimin, zbardhjen e shkaqeve dhe kapërcimin e tyre, e nxis Qeverinë shqiptare t’u gjendet pranë, sipas mundësive, me ekspertizë dhe çdo ndihmë të nevojshme. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, tha ai.