Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se është pajtuar për “shumë elemente” të një marrëveshjeje të paqes në Ukrainë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, para telefonatës së shumëpritur që pritet ta zhvillojnë dy krerët e shteteve.
Trumpi tha në rrjetin “Truth Social” se do të flasë me Putinin të martën në mëngjes, raporton televizioni BBC.
Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, edhe pse ka pasur marrëveshje, “shumë mbetet” për t’u punuar.
“Secila javë sjell 2.500 vdekje ushtarësh, nga të dyja palët, dhe kjo duhet të marrë fund TANI. Unë mezi e pres telefonatën me presidentin Putin” – shkroi presidenti amerikan.
Ai u tha më herët gazetarëve se “do të shohim, nëse mund të punojmë një marrëveshje të paqes, një armëpushim dhe paqen, dhe mendoj se ne do të jemi në gjendje që ta bëjmë këtë”.
Në adresimin e tij tradicional të mbrëmjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Putinin për zgjatjen e luftës.
“Ky propozim do të mund të zbatohej shumë kohë më parë” – tha ai, duke shtuar se “secila ditë në kohë lufte nënkupton jetë njerëzore”.
Britania e Madhe dhe Franca i kanë bërë thirrje Putinit që të dëshmojë se dëshiron një marrëveshje të paqes me Ukrainën. Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka çmuar “guximin” e Zelenskyt rreth pajtimit të tij me propozimin për 30 ditë armëpushim dhe e ka sfiduar Rusinë që ta bëjë të njëjtën gjë./