Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot gjatë ditës ka vizituar Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Kosovë.
Ai atje shkroi në Librin e Ngushëllimeve dedikuar viktimave të tragjedisë në Koçan.
“Tragjedia në Koçan të Maqedonisë së Veriut është nga ato ngjarje të rënda kur ne ndjejmë se fjalët nuk shprehin dot përmasat e dhembjes dhe pikëllimit. Në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet e mia të thella e të sinqerta për familjarët që i kanë humbur më të dashurit e tyre dhe për qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Kurti.
59 të rinj humbën jetën të dielën pasi një zjarr i madh shpërtheu në një diskotektë të quajtur Pulse në Koçan.
Pos viktimave, mbi 100 persona janë duke u trajtuar nëpër spitale të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, por edhe jashtë vendit. /Gazeta Enigma