Ish-kryeprokurori serb i krimeve të luftës: EULEX nuk ka dorëzuar lëndë të krimeve të luftës në Beograd

Ish-kryeprokurori serb i krimeve të luftës: EULEX nuk ka dorëzuar lëndë të krimeve të luftës në Beograd

Lidhur me pretendimin e ish-gjykatësit të Misionit të Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë se një numër i madh i rasteve të krimeve të luftës, në të cilat të dyshuarit janë serbë, u dërguan në Prokurorinë Serbe të Krimeve të Luftës, ka reaguar ish-kryeprokurori serb i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviq.

Ai thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe shton se nuk e di as kush është Malcolm Simmons.

“EULEX nuk na ka dorëzuar kurrfarë lëndësh për krimet e luftës, sepse po ta bënte këtë ne sigurisht do të vepronim”, tha për gazetën “Danas”, ish-kryeprokurori serb.

Të hënën Simmons u tha deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përmes video konferencës se autoritetet serbe kishin dënuar vetëm një person gjatë dhjetë viteve, dhe theksoi se Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar e Kosovës është një mekanizëm, të cilin Bashkimi Evropian e shfrytëzoi si një zgjidhje në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Se pretendimet e Simmons nuk janë të vërteta, e thonë edhe në EULEX.

Sipas Misionit të BE-së, fjalimi i Simmons para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës, është ndër të tjera, një reflektim i pakënaqësisë së tij me rezultatin e tri hetimeve kundër tij të kryera nga autoritetet e BE-së në Bruksel dhe të dorëzuara autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar.

“EULEX kurrë nuk ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës prokurorëve serbë, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet hetimore dhe shkresat”, kanë thënë në EULEX, duke kërkuar që Simmons të tregojë saktësisht se cilat raste pretendon se Misioni i BE u ka dorëzuar autoriteteve Serbe, telegrafi.


Related Articles