Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, e ka mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të përballet në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Ndeshja e parë mes Prishtinës dhe Connah’s Quay Nomads, do të luhet më 20 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 18:00. Te Prishtina kanë pranuar se nuk kanë njohuri për kundërshtarin, por kanë shtuar se janë optimistë se mund ta kalojnë raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
“Mendoj është një favor që ndeshjen e parë e luajmë në shtëpi dhe shpresoj që t’i kemi tifozët në tribuna, të cilët do të jenë një ndihmë e madhe për ta fituar këtë ndeshje. Kundërshtarin nuk e njohim, por kam besim se mund të kalojmë tutje”, ka thënë mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi.
“Ne patëm paraqitje të mira edhe në Champions League kundër një ekipi shumë të fortë, dhe nëse do të kemi paraqitje të tilla edhe në dy ndeshjet ndaj ekipit nga Uellsi, besoj se do të avancojmë në raundin tjetër”, shtoi ai.
Prishtina u eliminua në raundin e parë të Ligës së Kampionëve pas humbjes së përgjithshme 6:1 në dy përballjet me Ferencvaroshin, por aventurën evropiane do ta vazhdojë në Ligën e Konferencës, që i bie të jetë niveli i tretë i garave të UEFA-s.
Raundin e parë kualifikues të “Championist” kampionia e Kosovës e siguroi falë dy fitoreve në parakualifikime, fazë që u zhvilluara në Elbasan. E mposhti 2:0 Folgoren në gjysmëfinale të turneut parakualifikues, kurse në finale fitoi me po të njëjtin rezultat ndaj Inter d’Escaldes.
Për Prishtinën është viti i katërt rresht që merr pjesë në garat evropiane, ndërsa në rast të eliminimit nga faza e parë kualifikuese e “Championist”, pjesëmarrja në garat e Evropës nuk merr fund për “bardhekaltrit”. Në Ligën e Konferencave po marrin pjesë edhe Drita dhe Llapi. Nënkampionia Drita ka mposhtur Deçiqin me rezultatin 2:1 në “Fadil Vokrri”, kurse Llapi u mposht nga Shkupi 2:0.