Presidenca e Kosovës ka pranuar letrën nga Kuvendi pasi ditën e martë dështoi të konstituohet legjislatura e nëntë.
Këtë për Gazetën Enigma e ka konfirmuar këshilltari për Media në Presidencë, Bekim Kupina.
“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Kupinës për “Enigmën”,
Gjithashtu, Presidenca pritet të kthejë një përgjigje për situatën e krijuar.
Ditën e martë, kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Dehari tha se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet.
“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.
Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk kaloi. 52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 abstenuan.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm.
Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe te Nismës.