Lista “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani përfundimisht është ndarë në dysh në Komunën e Ferizajt, raporton Gazeta Enigma.
Ndërsa, Gazeta Enigma merr vesh se në krye të Listës “Guxo” është deputeti, Burim Karameta.
Kjo për shkak të pakënaqësisë së disa zyrtarëve të Iniciativës në Ferizaj, që i shtyri të aplikojnë për çertifikim në zgjedhjet lokale të tetorit ndaras nga të pakënaqurit e partisë.
Iniciativa qytetare “Ne Guxojmë”, në krye me Balton Dërgutin, së fundmi ka aplikuar për çertifikim për zgjedhjet në Kuvend komunal në Ferizaj por me një modifikim të emrit të subjektit.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Enigma, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai tha se deri më tani për pjesëmarrje në zgjedhje kanë aplikuar gjashtë subjekte politike.
“Deri më tani kemi pranuar 6 aplikime të subjekteve politike, prej tyre 3 iniciativa qytetare, 1 parti politike dhe 2 kandidatë të pavarur. Subjektet që kanë aplikuar deri më 15 korrik 2021 janë këto: 1. Partia politike Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan; 2. Kandidati i pavarur Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në Kaçanik; 3. Iniciativa Qytetare Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj; 4. Iniciativa Qytetare Ne Guxojmë ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvend Komunal në Ferizaj; 5.Kandidati i pavarur Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Fushë Kosovë; dhe 6. Iniciativa Qytetare Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Istog;”, ka thënë ai, i cili ka theksuar se kjo periudhë për aplikim për pjesëmarrje në zgjedhje, sipas Elezit përfundon më 16 gusht.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale. Kjo periudhë përfundon më 16 gusht”, deklaroi më tutje ai.
E gjithë kjo erdhi pas raportimit të Ministres së Punëve të Jashtme, njëherit edhe ushtruese e detyrës në Listën “Guxo”, Donika Gërvalla, e cila tha se në zgjedhjet lokale do të garojnë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Megjithatë, këtë e kundërshtoi fuqishëm, Balton Dërguti, i cili tashmë është në krye të Listës “Ne Guxojmë”.
/Gazeta Enigma/.