Krejt çka ndodhi sot në Kuvend – Kush po krijon bllokada?

Krejt çka ndodhi sot në Kuvend – Kush po krijon bllokada?

Seanca e sotme konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës është shtyrë për të shtunën, në ora 12:00 nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i cili ka deklaruar se nuk pati konsensus pas mbledhjes me përfaqësues të partive, shkruan Gazeta “Enigma”.

Këtë të enjte ishte paraparë të mbahej vazhdimi i seancës së konstituimit të Kuvendit, pasi që seanca e parë e 15 prillit që ishte thirrur nga presidntja e vendit, Vjosa Osmani, kishte dështuar.

Seanca e kaluar nuk kaloi pasi dështoi pika e parë të rendit të ditës – miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit për shkak të votave.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kishin paralajmruar prezencën e tyre në Kuvend sot, të cilët kanë bërë me dije se asgjë skishte ndryshuar sa i përket kërkesës për dorëheqjen e qeveritarëve, duke konfirmuar se këtë do ta kërkojnë edhe sot.

Kurti para as pas takimit nuk deklarohet për media

Kreu i Qeverisë në detyrë, nuk ka pranuar të flas para gazetarëve lidhur me votat e nevojshme për seancën e sotme.

Po ashtu edhe pas takimit nuk është deklaruar nëse i kanë votat ose jo.

“Shpresojmë që sot konstituohet Kuvendi”

Kreu i Nismës Social-demokrate, Fatmir Limaj është deklaruar shkurtimisht pak para nisjes së seancës së Kuvendit.

Ai shkurt tha se “shpresojmë që sot të konstituohet Kuvendi”, duke mos iu përgjigjur konkretisht pyetjeve të gazetarëve nëse do të votojnë edhe për ekzekutivin ri.

“Nëse i keni numrat për pak orë ktheheni në zyret ku jeni tash”

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami sërish e ka përsëritur kërkesën e partisë së saj që të dorëhiqen nga pozitat ekzekutivet, gjithë kabineti qeveritar që do të betohen si deputet.

Ajo ka thënë se opozita nuk po e bllokon procesin, por pushteti.

“ Absolutisht nuk është opozita që po e bllokon Kuvendit, ju e keni parë, nënin 26 të Ligjit për Qeverinë, ligj që e kanë shkru vet, e kanë votu në Kuvend, ai kërkon që ministrat në detyrë të japin dorëheqje para datës së betimit. Ne po kërkojmë që dorëheqjet të dorëzohen para betimit në Kuvend sepse ne në bazë të Kushtetutës kemi ndarje të qartë të pushteteve”, tha Bajrami.

Ai shtoi se “Nëse i kanë numrat, nëse janë të sigurtë mund të kthehen prapë tek zyra ku janë, askush nuk mund t’i bllojojë prej opozitës nëse i kanë numrat”, referuar krerëve të Qeverisë.

Dehari fton përfaqësuesit e partive politike të konsultohen, opozita e kundërshton

Udhëheqësi i seancës së sotme të Kuvendit, deputeti Avni Dehari, ftoi krerët e gjitha partive për konsultim para nisjes së seancës.

“Kam nevojë që së bashku t’i thërras përfaqësuesit e partive politike në një sallë tjetër, që të konsultohemi se si të vazhdojmë tutje”, tha Dehari.

Ai thotë që këtë thirrje po e bënë që “të mos bëjmë ndonjë shkelje të Kushtetutës”, “unë po e shoh kështu të nevojshme”, tha ai.

Ndërsa nga opozita shkuan u deklaruan se janë kundër kësaj konsulte sepse sipas tyre po bëhej edhe një shkelje tjeter e ligjit.

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, seaca e radhës më 19 prill

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka bërë të ditur se është ndërprerë vazhdimi i seancës për konstituimin e legjislaturës së re të parlamentit kosovar.

Pas përfundimit të takimit konsultatim me përfaqësuesit e partive politike, Dehari i falënderoi për pjesëmarrje të gjithë, por tha se nuk pati konsensus që të procedohet tutje me seancën në fjalë.

“U panë qëndrimet aktuale, partite politike braktisën seancën konsultuese, fatëkeqësisht nuk pati konsensus për sot”.

“Vazhdohet me seancën tjetër pas 48 orëve, në ora 12:00 me 19 prill”, ka thënë Dehari.

“Pozita po e bllokon punën e institucioneve për të blerë kohë sepse nuk i kanë numrat”

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e kanë uzurpuar Kuvendin dhe po e keqpërdorin të drejtën që Kushtetuta ia njeh deputetit më të vjetër për ta drejtuar seancën.

“E uzurpuan të drejtën për të vazhduar rrjedhën e seancës. Kanë ardhë në mënyrë të organizuar me e pengu seancën. Të vetëm punë që e ka pasë Avni Dehari, ka qenë me e hudhë në votim. Sot pati uzurpim partiak të Kuvendit. U keqpërdor e drejta që i takon deputetit më të vjetër, për të arritur qëllime politike”, ka thënë Krasniqi.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është deklaruar pas ndërprerjes së dytë të seancës konstituive të Kuvendit.

‘‘Qytetarët e kanë të qartë kush janë bllokuesit e vërtetë të seancës. Kryesuesi që rastisë të jetë më i vjetri në moshë dhe rastisë të jetë nga partia e parë, pa të drejtë ndërpreu seancën e sotme, ndonse kishte kushte për votim të raportit. Sinqerisht është për keqardshje kjo praktikë e re bllokuese e kushtetute , dhe nevojë urgjente të popullit për të pasur institucione. Kjo është shkelje e rende praktikë e pazakontë, sjellje e mbrapshtë për të cilën s’kemi arsyetime por gjithsesi do të mblidhemi pas 48 orëve. Çështja është shumë e qartë, ky është institucioni më i lartë i vendit, këtu mirren vendimet e vendit., Kjo e drejtë ju mohua  sot 100 deputetëve prezentë kishte kushte për votim, do të duhej të votohej. Kryesuesi duhet të lexojë skenarin, nuk guxon të bëjë asnjë hap tutje, as konsultime’’, ka thënë ai.

Time Kadriaj, nga radhët e AAK-së ka folur për media pas ndërprerjes së dytë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Ne kemi pritur që seanca të vazhdojë. Ashtu edhe kemi pritur që seanca të vazhdojë në pikën që ka ngelur, që ka qenë votimi i raportit, sepse aty në fakt ka ngelur seanca konstituive e para 48 orëve dhe ne kemi pritur që seanca të vazhdojë dhe krejt rastësisht ai konstatoi se sa deputetë janë të pranishëm dhe nëse ke dashur që ta mbyllësh seancën çka ka rëndësi se sa deputet janë të pranishëm”, deklaroi ajo. Ajo theksoi se kjo formë e mbylljes është antikushtetuese.

“I kemi votat për formim të Qeverisë”

Deputetja e zgjedhur nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se i kanë votat e mjaftueshme për formim të Qeverisë.

Pyetur nga mediat, Haxhiu tha: “Jam përgjigj edhe ma herët, i kemi votat”.

Ndërkohë, Mimoza Kusari tha se koalicionet do të tregohen pas konstituimit të Kuvendit, diçka që nuk po shihet në horizont.

Zgjedhje të reja

Seanca e sotme konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës është shtyrë për të shtunën.

Lidhur me këtë ka folur edhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila paralajmëroi për zgjedhjet e reja në rast të moszhbllokimit të situatës.

“Ne kishim kuorum, dokumenti është rrëzu, tani nëse opozita nuk dëshiron të bisedojmë fare, atëherë po mbesim kështu, ose po drejtohemi në zgjedhje të reja”, tha ajo

Avni Dehari mund të zëvendësohet nëse refuzon të drejtojë seancën

Sipas Rregullores së Kuvendit, neni 9, kur Kryesuesi refuzon të drejtojë seancën atëherë angazhohen deputetë të tjerë.

“2. Nëse deputeti ose deputetët nga paragrafi 1 i këtij neni, mungojnë në seancën konstitutive ose refuzojnë drejtimin e seancës, angazhohen deputetët tjerë sipas kritereve të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni”, thotë ky nen i rregullores./Gazeta Enigma/

Related Articles