Sulmet ajrore izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës kanë vazhduar sërish duke lënë të vrarë të paktën 17 persona të premten, përfshirë disa fëmijë, transmeton Gazeta Enigma.
Në mesin e të vdekurve ishin dhjetë persona në kampin urban të refugjatëve “Jabaliya”, përfshirë tetë nga shtëpia e njëjtë, sipas Spitalit Indonezian, i cili i pranoi trupat. Në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, shtatë njerëz u vranë, përfshirë një grua shtatzënë, sipas spitalit “Nasser”, ku u sollën trupat, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Këto sulme ndodhën një ditë pasi më shumë se 20 njerëz të tjerë vdiqën në Gaza, kur forcat izraelite i kanë shtuar sulmet për t’i bërë presion Hamasit që t’i lirojë pengjet dhe të çarmatoset.
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, të premten u shfaq te Muri Perëndimor, vendi më i shenjtë i lutjeve për hebrenjtë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit.
Huckabee tha se Trumpi I kishte thënë që ta merrte lutjen e tij dhe të lutej për paqe në Jerusalem. Ai gjithashtu tha se janë duke u bërë të gjitha përpjekjet që pengjet e mbajtura nga Hamasi të kthehen në shtëpi.