Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, në konferencën e sotme pas dështimit të seancës së sotme të jashtëzakonshme ka pasur një problem tjetër, raporton Gazeta Enigma.
Ai është përplasur me Dardan Sejdiun në lidhje me Planin Zhvillimor Komunal.
Gjatë kohës që Rama ishte duke bërë deklarimin e tij para gazetarëve, Sejdiu e ka pyetur kryetarin se ‘‘cilat lagje janë vizituar në proces’’.
Rama është përgjigjur duke thënë se ‘’një numër i madh i lagjeve tërë kohën, ne vizitojmë lagje, kemi vizitu të gjitha lagjet’’.
Sejdiu i ka ndërhyrë duke e pyetur se ‘’sa lagje e kanë parë planin’’.
Ndërsa Rama i është kundërpërgjigjur duke i thënë Sejdiut se ‘’njerëz si tij që jepin dezinformata, që rrejnë njerëzit, që i rrejnë të gjithë qytetarët’’.
Kurse Sejdiu i është drejtuar Ramës duke i thënë ‘ ‘A ia nise a?’’, kurse Rama e quajti atë “rrenc” dhe “dezinformues”.
Rama, tutje ka thënë se opozita po kërkon transparencë, por se ajo po e bllokon Planin Zhvillimor Komunal të dalë në konsultim publik.
Pas ndërprerjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, Rama ka thënë se prej një viti e gjysmë po punohet në këtë dokument.
“Nuk i kishim ata asamblistë (VV, PDK) sot këtu. Shohim shumë postime që thirren në jotransparencë, është e kundërta prej asaj që ne po kërkojmë prej një viti e gjysmë. Një dokument që kanë punuar të gjitha drejtoritë, institucionet, qytetarët, një dokument që është i gatshëm për diskutim publik që t’i paraqitet publikut që ta rishikojmë së bashku, të japim komente, propozime, nuk votohet që të dilet në diskutim publik. Tentojmë për transparencë të plotë që një vit e gjysmë dhe ja vazhdon bllokimi i këtij dokumenti”, ka thënë ai. / Gazeta Enigma.