Lutfi Haziri njofton se do të kandidojë për kryetar të Gjilanit

Lutfi Haziri njofton se do të kandidojë për kryetar të Gjilanit

Kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka njoftuar për këtë vendim, ku ka deklaruar se Gjilanit do t’ia rikthejmë namin e një kryeqendre ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës e sportit!

“Në cilësinë e Kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, si bartës i proceseve politike në komunë, në mbledhjen e sotme të Kryesisë, kam paraqitur draftin final të Këshillit të Degës për rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit. Përkundër trendit pozitiv dhe konfirmimit për deputet në Kuvendin e Republikës, LDK në Gjilan po vazhdon tani përgatitjet për zgjedhjet lokale. Si Kryetar i Degës, kam pranuar komentet, kam miratuar analizën dhe raportin detaj të zgjedhjeve të fundit për Kuvend të Republikës, ndërkaq kemi filluar me procesin e përgatitjeve fillestare për zgjedhjet lokale”, ka shkruar Haziri.

Tutje ai ka theksuar se “Bashkë me Kryesinë e Degës, do ta bëjmë listën më përfaqësuese ndonjëherë, e cila do ta sigurtonte rolin e liderit në nivel komunal, derisa kandidati për Kryetar të Komunës do të jetë konsensual e i praniueshëm për ta rikthyer LDK-në edhe në ekzekutiv. Përderisa unë jam kryetar i Degës, jam kandidati i vetëm për Kryetar të Komunës dhe sot kemi hapur procesin për këtë”.

“LDK në Gjilan ka unitet politik e funksional. Jemi një familje politike dhe kemi një qëllim të vetëm: rikthimin e madh të LDK-së në Komunën e Gjilanit. Bashkë e me dashni, Gjilanit do t’ia rikthejmë namin e një kryeqendre ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës e sportit”, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles