Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, para nisjes së seancës ka bërë thirrje për pjesëmarrje të të gjitha partive politike, me ç’rast ka theksuar rëndësinë e zhbllokimit të procesit të konstituimit të institucioneve, raporton Gazeta Enigma.
Murati u shpreh se çdo hap po bëhet në mënyrë transparente dhe se aktualisht nuk bëhet fjalë për marrëveshje rreth një koalicioni qeverisës.
“Jemi sot në vazhdimin e seancës së radhës. Shpresoj që, ashtu si dita e bukur që kemi sot, të kemi edhe një rezultat pozitiv në Kuvend, i cili do të mundësojë hapjen e rrugës për konstituimin e institucioneve. U bëj thirrje të gjitha partive që të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre përmes votës. Kjo është një detyrë kushtetuese për të gjithë deputetët,” tha Murati.
Tutje ai theksoi sxërish se përveç zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, dhe vetëm pas kësaj faze do të nisë afati për formimin e Qeverisë.
“Nuk kemi bërë thirrje private apo të fshehta. Çdo gjë po zhvillohet në mënyrë të hapur. Nuk bëhet fjalë për marrëveshje qeverisëse në këtë fazë, por për përmbushjen e obligimeve institucionale. Vetëm pasi të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, mandatari do të ketë 15 ditë afat për formimin e qeverisë,” shtoi ai. / Gazeta Enigma.