Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, tha në seancën e Kuvendit të Kosovës se familja presidenciale e Kosovës, Osmani-Sadriu, po e gërryen buxhetin e varfër të Kosovës me paga super luksoze që e kalojnë shifrën e mbi 70 mijë euro vetëm për 1 vit, raporton Gazeta Enigma.
“Nga deklarimi i pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Presidentja Osmani, merr nga buxheti i Kosovës më shumë se 33 mijë euro vetëm pagë për 1 vit. Bashkëshorti i saj i cili është avancuar tash në diplomaci, merr mbi 36 mijë euro paga për 1 vit. Pra, familja presidenciale, Osmani-Sadriu i marrin buxhetit të Kosovës më shumë se 70 mijë euro vetëm paga gjatë një viti”, tha Zejnullahu.
Ajo i krahasoi pagat e familjes presidebciale me pagën minimale në Kosovë.
“Kur këto paga i krahasoj me gjuhën e kryeministrit Albin Kurti i cili ka mbetur në ishujt grekë dhe nuk po pranon të kthehet në Kosovë as kur qytetarët e vendit përballen me emergjencë shëndetësore, mund te kuptojme qe qellimi i tyre ka qene thjeshte pushteti dhe jo puna per qytetaret. Paga minimale në Kosovë është 170 euro, kjo i bie që presidentja Vjosa Osmani i merr 16 paga minimale të Kosovës për një muaj. Po ashtu bashkëshorti i saj i bie që i merr 17 paga minimale, apo së bashku marrin gjatë një muaji 33 paga minimale të shtetit tonë”, tha Zejnullahu.
Ajo foli edhe për mënyrën e jetesës që po e bëjnë pushtetarët e rinj, që sipas saj votat i fituan duke proklamuar barazi.
“Presidentja Osmani tashmë ka deklaruar se ka blerë shtëpi të re në lagjen më luksoze të Prishtinës, “Marigona Hill”, aty ku kanë blerë edhe disa prej ministrave e zyrtarëve të Qeverisë së Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.Sot Kosova ka nje Presidente qe e bënë burrin ambassador e ai qëndron më shumë në Prishtinë. Vjosa Osmani do të duhej që së paku moralisht të kërkonte nga bashkëshorti ta pezullojë përkohësisht punën e tij e jo ta gërryej buxhetin e Kosovës pa shkuar fare në punë. Ky pra është morali i këtij pushteti të udhëhequr nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të cilët fituan votat duke kërkuar barazi në paga e pasuri, ndërsa vet marrin para të majme dhe jetojnë në lagje luksoze, e për pushime most ë flasim, ato i bëjnë në Greqi dhe Turqi në resorte luksoze. E harruan Shqipërinë”, tha ajo.
Deputetja Zejnullahu po ashtu e akuzoi kryeministrin Albin Kurti për pushimet e tij luksoze në ishujt grek.
“Albin Kurti e harroi turizmin kombëtar! Albin Kurti e ka harruar Durrësin, Vlorën, Sarandën. Kur ishte në opozitë, përmendja e Shqipërisë dhe e forcimit të ekonomisë kombëtare ishte veç një shtihim. Per fat te keq eshtë shumë e qartë që Kosova ka Presidente dhe Kryeministër totalisht të papërgjegjshëm, të cilët duket se kanë filluar të koordinohen që të ikin nga përgjegjësite që kanë, dhe vec kane filluar rrëzimin e vetes nga pozicionet qe mbajne si Presidente përkatësisht kryeministër”, tha Zejnullahu./Gazeta Enigma/