Zyra e Avokatit të Popullit në Kosovë ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) pezullimin e përkohshëm të vendimit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%.
Kjo masë e përkohshme është vendosur ndaj vet ZRrE-së, e cila më pastaj mund të vendosë nëse do t’i përmbahet të njëjtës, ose në të kundërtën Avokati i Popullit e dërgon rastin në Gjykatën kompetente.
Kërkesat për pezullim apo shtyrje të zbatimit të vendimeve ndaj institucioneve, Avokati i Popullit i merr zakonisht në rastet kur ka dyshime se është cënuar interesi publik nga institucionet përkatëse.
“Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu, kjo masë mund të mbetet në fuqi deri në shqyrtimin meritor të ligjshmërisë së vendimit në fjalë.
Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të kësaj mase, e cila pritet t’i dërgohet sot Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE). Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë më datë 11 prill 2025 ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë për 16.1% më të larta për të gjithë konsumatorët në vend.
Paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1%, kanë nxitur reagimin e qytetarëve si para marrjes së vendimit, ashtu edhe pas miratimit të tarifave të reja. Si në shenjë pakënaqësie për këto propozime të ZRrE-së, për disa ditë u mbajtën protesta nga qytetarët në Prishtinë për të kundërshtuar rritjen e tarifave të energjisë.