Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Valon Murtezaj, i ka bërë thirrje kreut të partisë së tij, Lumir Abdixhikut, që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kreut të LVV-së, Albin Kurti, për takim konsultativ.
Murtezaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “si një anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për takim nesër”.
“Në politikë, dhe në situata krize, kur Republika e Kosovës nuk ka Kuvend aktiv, dhe as Qeveri aktive, pjesëmarrja në tryezë diskutimi, pa hyrë në asnjë lloj paragjykimi, është vlerë demokratike dhe lidership”, ka shkruar Murtezaj.
Tutje ai ka shkruar se “Kosova është shtet i ri dhe është esenciale që dialogu mes palëve të ndryshme, të shmang thellimet e krizave”.
“Pjesëmarrja në tavolina diskutimi nuk është dobësi, përkundrazi, promovon vlerat demokratike dhe ndihmon në ndërtimin e një konsensusi për çështje komplekse dhe të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar ai.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarët e dy partive opozitare, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Memli Krasniqin e PDK-së.
Takimi është planifikuar të mbahet nesër, më 1 maj, në orën 08:30 në brenda ambienteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk është deklaruar pas kas kësaj ftese, por deputetja e kësaj partie Hykmete Bajrami ka deklaruar se as kryetari Abdixhiku dhe asnjë përfaqësues tjetër i LDK-së nuk do të marrë pjesë në takim.
“Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami.
PDK ende nuk ka komentuar publikisht për ftesën e Kurtit.