Bisedime për tarifat: ShBA-ja kërkon dialog me Kinën

Bisedime për tarifat: ShBA-ja kërkon dialog me Kinën


Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë për të hapur një kanal komunikimi me Kinën lidhur me tarifat e larta doganore të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Një raport i publikuar të enjten nga një media e lidhur me burime shtetërore kineze sugjeron se ky mund të jetë një hap drejt negociatave mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citon Yuyuan Tantian, e cila përmes rrjetit social kinez Weibo ka bërë të ditur: “SHBA-ja në mënyrë aktive ka kontaktuar Kinën përmes disa kanaleve, me shpresën për të zhvilluar bisedime mbi çështjen e tarifave”, duke iu referuar burimeve anonime.

Tarifat prej 145% që Trump ka paralajmëruar për produktet kineze janë cilësuar si një formë presioni që Pekini e konsideron të papranueshme. Autoritetet kineze i kanë quajtur këto masa “bullizëm ekonomik”, duke theksuar se ato nuk do ta ndalin zhvillimin ekonomik të vendit.

Në vend të përpjekjeve për zbutje të tensioneve, Kina ka fokusuar përgjigjen e saj përmes kritikave të ashpra publike dhe ndërkombëtare ndaj këtyre kufizimeve tregtare.

Megjithatë, në sfond, Pekini ka ndërmarrë hapa për të reduktuar ndikimin e tarifave – duke përpiluar një listë të produkteve amerikane që do të përjashtohen nga tarifat reciproke prej 125%. Në mesin e këtyre produkteve përfshihen artikuj farmaceutikë, mikroçipa dhe motorë aeroplanësh.

Related Articles