Prishtina ka fituar me rezultat minimal 1-0 në shtëpi ndaj Ballkanit në kuadër të javës së 32-të në elitën e futbollit kosovar.
Ndeshja nisi me një ritëm të ngadaltë me të dyja skuadrat që kryesisht po e zhvillonin lojën me duele në mesfushë.
Prishtina pati një rast shumë të mirë në 45 minutat e para me Dion Gallapenin, por Artan Iljazi nuk lejoi që të mposhtej.
Ballkani në anën tjetër rrezikoi portën e Agron Kolajt përmes Sinday Adetunji, por që ky i fundit u ndal nga portieri i vendasve.
Në pjesën e dytë Prishtina ia doli të realizojë me rastin e parë serioz, duke shënuar për rezultatin 1-0 përmes Leotrim Kryeziut në minutën e 86-të.
Për Prishtinën kjo ishte fitorja e parë pas katër ndeshjeve pa rezultat pozitiv në kampionat, teksa Ballkani fitoren ndaj Malishevës javën e kaluar nuk arriti ta përsërisë në kryeqytet.
Prishtina tashmë numëron 43 pikë dhe renditet në pozitën e gjashtë në tabelë, ndërsa Ballkani ka 57 sosh dhe mban pozitën e dytë, me nëntë më pak se Drita që ka 66 sosh, por këta të fundit me një ndeshje më pak.