Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), ka reaguar ndaj disa deklaratave të fundit që, sipas saj, nuk pasqyrojnë realitetin në institucionin e tyre, ku kanë theksuar se “mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK”, raporton Gazedta “Enigma”.
ShSKUK përmes një postimi në Facebook kanë sqaruar se në Klinikën Emergjente janë të kontraktuar 24 orë policë dhe punëtorë sigurimi që kujdesen për sigurinë e stafit dhe pacientëve.
Edhe pse pranohet se në këtë klinikë trajtohen “raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të ndjeshme apo me të dyshuar për vepra kriminale”, nga QKUK sigurojnë se “asnjëherë nuk ka pasur rrezikim të drejtpërdrejtë të stafit mjekësor”.
Sipas deklaratës, në çdo situatë që ka kërkuar ndërhyrje, “sigurimi dhe policia kanë reaguar menjëherë dhe me profesionalizëm – siç e pranon edhe vetë mjeku në deklaratën për të cilën po reagojmë”.
QKUK vlerëson se deklaratat që vënë në dyshim sigurinë e stafit janë “të pamatura dhe të pabazuara” dhe nuk ndihmojnë në “ndërtimin e një klime të mirëbesimit dhe bashkëpunimit në sistemin shëndetësor”.
Ky reagim vjen pas raportimeve për një rrahje brenda QKUK-së mes disa personave që ishin miq të dy viktimave që ishin dërguar për trajtim në Klinikën Emergjente. Mjeku kujdestar Avdush Bajgora ka thënë për KlanKosova se kanë qenë të rrezikuar. “Kemi qenë të rrezikuar edhe pacientët e tjerë edhe ne si staf. Ka shkuar luftë brenda mes tyre. Nuk më kujtohet saktë se si është zhvilluar rasti, por mezi kemi shpëtuar”, kishte deklaruar Bajgora.