Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 3-2 në shtëpi ndaj Celta Vigos në kuadër të javës së 34-të në La Liga.
‘Los Blancos’ e nisën për mrekulli takimin duke arritur që ta mbyllin pjesën e parë me një epërsi prej dy golash.
Për t’i dhënë avantazhin vendasve u përkujdes Arda Guler (33’) i cili realizoi një gol spektakolar për rezultatin 1-0.
Vetëm disa minuta më vonë Real Madrid gjeti edhe golin e dytë, kësaj radhe përmes Kylian Mbappe i cili realizoi për 2-0 në minutën e 39-të të takimit.
Me të filluar pjesa e dytë Mbappe e gjeti golin e dytë personal në këtë takim duke shënuar për 3-0 pas asistimit të Guler.
Kur dukej se ndeshja kishte mbaruar, mysafirët ia dolën të shënojnë dy gola të shpejtë për të ngjallur frikë në ‘Santiago Bernabeu’.
Për të ngushtuar diferencën u përkujdes Javier Rodriguez i cili në minutën e 69-të realizoi për 3-1.
Goli i dytë i mysafirëve erdhi në minutën e 76-të përmes Williot Swedberg i cili pranoi një pasim fantastik nga Iago Aspas për 3-2.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Real Madridi ia doli ta menaxhojë mirë epërsinë prej një goli duke marrë tri pikë jetike në garën për titull.
Javën e ardhshme Real Madridi do të luajë ‘El Clasicon’ e katërt të sezonit ndaj Barcelonës, ndeshje e cila mund ta mbyllë apo ta hap sërish garën për titull.