Të hënën pas mesnatës Gazeta “Enigma” ka raportuar se në Rrugën B ka pasur gjuajtje me armë zjarri.
Lajmin sot e ka konfirmuar Policia, ku zëdhënësi për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se kjo gjuajtje me armë askush nuk ka mbetur i lënduar, vetëm se janë dëmtuar dy vetura.
“Mbrëmë rreth orës 23:55 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ” Bardhyl Qaushi” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy lloje gëzhojash. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkaq dy vetura janë dëmtuar”, deklaroi Borovci.
Tutje ai ka theksuar se Policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identifikimit të të dyshuarve, dhe në të njëjtën kohë po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. /Gazeta Enigma/