Rama pas përfundimit të Samitit: Ditë e frytshme, vendosëm për investime në disa sektorë

Rama pas përfundimit të Samitit: Ditë e frytshme, vendosëm për investime në disa sektorë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologja e tij daneze, Mette Frederiksen, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në përfundim të Samitit të Europës, i cili u zhvillua sot në Tiranë. Në këtë samit morën pjesë liderët më të lartë të kontinentit, ku u diskutua për të ardhmen e Evropës dhe sfidat e përbashkëta.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama shprehu krenarinë dhe gëzimin për mbarëvajtjen e këtij eventi të rëndësishëm në kryeqytetin shqiptar. “Jemi mbledhur bashkë liderët e Europës për të zhvilluar një diskutim të rëndësishëm, intensiv dhe të hapur për një Evropë të re për një botë të re – që ishte dhe titulli kryesor i këtij Samiti,” deklaroi Rama.

Ai theksoi se samiti solli një përkushtim të ripërtërirë për të ruajtur dhe avancuar vlerat dhe parimet që udhëheqin shoqëritë evropiane. “Diskutuam sesi mund të investojmë më shumë në novacion dhe në ato fusha që i përkasin komunitetit politik evropian, përfshirë edhe vendet që ende nuk janë pjesë e BE-së,” tha ai.

Rama njoftoi gjithashtu se Danimarka do të marrë stafetën për organizimin e mëtejshëm të iniciativës së Komunitetit Politik Evropian (KPE), ndërsa u vendos që të krijohet një skuadër bashkërënduese nën kujdesin e zyrës së Presidentit të Këshillit Europian.

“Ne përfaqësojmë një treg prej 600 milionë qytetarësh dhe kemi për detyrë ta shndërrojmë këtë potencial në rezultate konkrete,” përfundoi Rama, duke vlerësuar se dita ishte e frytshme dhe me përfundime domethënëse për të ardhmen e përbashkët evropiane.

Related Articles