BE: Veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, rrezik për përshkallëzim

BE: Veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, rrezik për përshkallëzim

Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, me mbylljen e objekteve të cilat shfrytëzoheshin për shërbime nga sistemi i Serbisë, janë rrezik për përshkallëzim të situatës.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.  

“Operacionet, inspektimet dhe mbylljet e fundit të policisë në Kosovë rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të minojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në reagim, në të cilin në veçanti është përmendur shqetësimi për operacionet ndaj “Ujësjellësit Ibër” në Mitrovicën e Veriut dhe për mbylljen e fabrikës në Zubin-Potok. 

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit midis komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në largim Kurti dhe autoriteteve në Kosovë t’i ndalin këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masat përshkallëzuese”, thuhet më tej në reagim. 

BE-ja në reagim ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen me konstruktivitet në implementim të marrëveshjes për normalizim dhe implementim të aneksit, si dhe të marrëveshjeve të tjera “pa vonesa dhe pa parakushte”. Këtu ka përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

Related Articles