Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për situatën e krijuar me grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet, duke e cilësuar këtë si një sabotazh të organizuar në kuadër të një fushate politike të ulët.
Në një postim publik, Abdixhiku shkruan se “fushata në Prishtinë paska nisur, me mbeturina”, duke e quajtur këtë një përpjekje të lodhur dhe të pavlerë për të dëmtuar imazhin e Komunës.
“Me sabotazhë në njërën anë e me mendimtarë parapolitik gishtvënës në anën tjetër – krejt në sinkron. Një përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje”, tha ai.
Sipas tij, sabotimi ka ardhur nga vetë ata që kontrollojnë Ndërmarrjen “Pastrimi”, duke e lënë me qëllim qytetin të mbuluar nga mbeturinat. Ai akuzon se kjo ndërmarrje, ndonëse formalisht komunale, nuk është nën menaxhimin e Komunës, por po përdoret politikisht për të krijuar krizë artificiale.
“Bërllog plot, por ndërmarrja refuzon të punojë. E sa për të mos mjaftuar, mblidhen sërish në asamble, sërish bllok, për të ndaluar – besoni ose jo – angazhimin e dikujt tjetër për pastrim”, shkruan Abdixhiku.
Megjithatë, ai njofton se Komuna ka ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe ka angazhuar kompani të tjera për pastrimin e qytetit. Ai garanton se për një javë Prishtina do të pastrohet tërësisht.
“Nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu. Prishtina ecë. Sabotazhi juaj zgjat vetëm pak ditë”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, duke shtuar se qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë “politikë të vjetër e primitive”.
“Prishtina sheh. Këtu sabotazhi kriminal moti ka vdekë”, përfundon reagimin e tij Lumir Abdixhiku.