Ish-presidentja Vjosa Osmani ka shkruar për një tjetër letër të Arlinda Zekajt drejtuar Gjykatës për caktimin e urdhrit mbrojtës, që u publikua sot, një javë pasi ajo u vra nga ish-kunati duke kërkuar mbrojtjen e shtetit.
Osmani tha se letra e Arlindës është “aktakuzë e rëndë” ndaj sistemit.
“”Për ju është rutinë, për mua është jetë…”. Kjo fjali, e shkruar nga Arlinda Zekaj në kërkim të ndihmës, është një aktakuzë e rëndë ndaj një sistemi që kishte detyrimin ta mbronte, por nuk arriti ta dëgjonte në kohë”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Osmani tha se “një grua e një nënë nuk duhet të ketë nevojë të lutet për të drejtën për të jetuar”.
“Nuk duhet të ketë nevojë të përgjërohet që fëmijët e saj të jenë të sigurt. Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të ketë frikë se institucionet do të vonohen deri atëherë kur të jetë tepër vonë”, shkroi ajo.
“Tepër vonë është edhe sistemi gjyqësor, i cili deri tani ka ndërmarrë ZERO masa ndaj gjyqtarëve që treguan neglizhencë”, shtoi Osmani.
