Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit ka njoftuar se në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të saj në luftimin e korrupsionit dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, sot ka ndaluar me vendim të prokurorit dy persona për shkak të veprave penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Sipas komunikatës për media, personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që viktima të kalojë testin praktik të vozitjes i kanë kërkuar para ryshfet, të cilat i kanë pranuar dhe për shumën e pranuar, kandidatja ka kaluar testin.
“Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore, Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale në grumbullimin e provave”, thuhet tutje në njoftim.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale”.