Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar sot për vizitë shtetërore në Zvicër me ftesë të Presidentes Keller-Sutter, shkruan Gazeta Enigma.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, kanë udhëtuar për në Zvicër, në vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet.
Vizita do të realizohet në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore dhe do të ketë për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Nga presidenca kanë theksuar se “Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, ndaj kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër’.
Po ashtu ata kanë njoftuar se në Rezidencën zyrtare Lohn do të bëhet pritja me nderime shtetërore dhe do të mbahet një drekë pune, ku Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, do të priten me nderime të larta shtetërore nga Presidentja Keller-Sutter dhe Zotëria i Parë, Morten Keller.
Më pas, në sheshin qendror të Bernës, Bundesplatz, do të mbahet ceremonia shtetërore e mirëseardhjes me nderime ushtarake, ku ndër të tjera Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do të kenë rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që do të marrin pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve.
Programi i vizitës do të vazhdojë me ceremoninë shtetërore në Parlamentin e Zvicrës, ku Presidentja Osmani do të mbajë një fjalim të posaçëm para përfaqësuesve të institucioneve zvicerane. Po ashtu, gjatë qëndrimit të saj në Bernë, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të institucioneve federale.
Në St. Gallen, Presidentja Osmani me homologen Keller-Sutter do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE të Universitetit të St. Gallen.
Ndërkaq në Gjenevë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitet për trashëgiminë politike të Martti Ahtisaarit, të organizuar bashkërisht nga Fondacioni i Paqes Martti Ahtisaari, Misioni i Përhershëm i Finlandës në Gjenevë, organizata ndërkombëtare Interpeace dhe Geneva Graduate Institute.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare. /