Sezoni 2024/25 i elitës së futbollit kosovar përfundoi me një emër të madh në majë – Drita e Gjilanit.
Klubi bardhekaltër siguroi titullin e katërt kampion në histori, duke u ngjitur kështu në vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të kampionëve të Kosovës pas vitit 1991, duke kaluar Feronikelin dhe Besën e Pejës, që kanë nga tri tituj secila.
Festa ishte e madhe në qytetin që prej dekadash frymon me futboll.
Me 74 pikë nga 36 ndeshje, Drita tregoi dominim, vendosmëri dhe konsistencë, duke e mbyllur sezonin me krenari para tifozëve të saj të zjarrtë – “Intelektualët”.
Ky titull vjen si shpërblim për punën e palodhur të klubit, që për katër sezone rresht ishte gjithnjë në garë për titull, por pa sukses.
Këtë herë, nuk pati as dyshime dhe as gabime – Drita ishte më e mira në të gjitha aspektet.
Me këtë sukses, Drita renditet menjëherë pas Prishtinës, e cila mban rekordin me 11 tituj kampion. Rruga për të qenë më të mirët vazhdon, por Drita tashmë ka siguruar vendin e saj në historinë moderne të futbollit të Kosovës.
Renditja e skuadrave më të suksesshme në futbollin kosovar nga sezoni 1991/92:
1.Prishtina – 11 tituj
2.Drita – 4 tituj
3.Ballkani, Feronikeli, Besa Pejë – nga 3 tituj
4.Trepça (Mitrovicë) – 2 tituj
5. Trepça ’89, Hysi, Vushtrria, Besiana, Liria, Dukagjini – nga 1 titull
Drita e nisi festën në stadium, por gëzimi u shpërnda shpejt në të gjithë qytetin. Ndërsa sezoni përfundon me medalje ari, të besuarit e Zekirija Ramadanit tashmë kanë kthyer vëmendjen nga Evropa.
Përgatitjet për Ligën e Kampionëve kanë nisur. Klubi që dikur shpresonte për lavdi, sot është sinonim i saj dhe e ardhmja duket premtuese.