Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj si folës në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, tha se më shumë se kushdo tjetër, vendet e Ballkanit Perëndimor e kuptojnë më mirë çmimin e paqes, teksa Kosovën e cilësoi realitet te pakthyeshëm.
Ai më tej tha se NATO mbetet gurthemeli i sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm për Evropën, por për të gjithë botën demokratike.
“Ky takim zhvillohet në një moment kur themelet e sigurisë sonë po vihën sërish në provë. NATO mbetet gurthemeli i sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm për Evropën, por për të gjithë botën demokratike. NATO është Aleanca më e suksesshme, më e fuqishme dhe më e bashkuar në histori. Në mjedisin e ndërlikuar gjeopolitik të sotëm, NATO përfaqëson një aleancë politike, ushtarake dhe morale, bazuar në mbrojtjen kolektive, vlerat e përbashkëta dhe një qëllim të përbashkët. Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO në vitin 2009 shënoi një kthesë historike. Ai afirmoi identitetin tonë si pjesë e familjes euroatlantike. Që nga ajo kohë, Shqipëria mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj misionit dhe vlerave të Aleancës. Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe do të vazhdojmë të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane”, tha Begaj.