Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar valën “e neveritshme” të sulmeve vdekjeprurëse të Izraelit ndaj objekteve civile në Gazë, përfshirë ndaj një shkolle.
Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë një bisede telefonike të zhvilluar me Mbretin Abdullah të Jordanisë më 27 maj.
Ekipet e shpëtimit kanë thënë se sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 52 persona në Rripin e Gazës të hënën, 33 në një shkollë të shndërruar në strehimore.
Sulmet izraelite janë pjesë e rinisjes së ofensivës së tyre, që synon shkatërrimin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ofensivë që ka nxitur dënim ndërkombëtar.
“Zgjerimi i operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë, duke shënjestruar infrastrukturën civile, në mesin e tyre edhe një shkollë që shërbente për strehimin e familjeve të zhvendosura palestineze, vrasja e civilëve, përfshirë fëmijëve, është e neveritshme”, tha von der Leyen, sipas njoftimit të lëshuar nga Bashkimi Evropian lidhur me bisedën e zhvilluar me udhëheqësin jordanez.
“Komisioni Evropian gjithmonë ka mbështetur – dhe do të vazhdojë ta mbështesë – të drejtën e Izraelit për siguri dhe vetëmbrojtje”, tha ajo.
“Por, përshkallëzimi dhe përdorimi shpërpjesëtimor i forcës kundër civilëve nuk mund të justifikohet nën ligjin humanitar dhe ndërkombëtar”, paralajmëroi von der Leyen.
Shefja e KE-së kërkoi që Izraeli “menjëherë të rinisë dërgimin e ndihmave humanitare, në linjë me parimet humanitare, dhe me pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë humanitarë ndërkombëtarë”.
Bashkimi Evropian ka hasur në vështirësi që të ketë ndikim në konfliktin në Gazë për shkak të ndarjeve të kamotshme brenda bllokut mes shteteve që e mbështesin Izraelin dhe atyre që konsiderohen më propalestinez.
Megjithatë, momentumi për të shtuar presionin ndaj Izraelit është rritur që kur Izraeli rinisi ofensivën në Gazë.
Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur dhjetëra pengje, ndërsa shumë të tjerë janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 55.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.