Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke folur nga Brukseli përpara mbledhjes së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ka hedhur poshtë çdo spekulim për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Evropa.
Rutte ka konfirmuar se SHBA nuk ka asnjë plan aktual për tërheqjen e trupave, duke theksuar se Uashingtoni mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj NATO-s, sipas the guardian.
“SHBA pret që aleatët evropianë dhe kanadezë të shpenzojnë shumë më tepër… kështu që duhet të rrisim shpenzimet, para së gjithash, sepse duhet të arrijmë të gjitha objektivat e kapaciteteve dhe të mbyllim boshllëqet që ekzistojnë ende, për të siguruar që mund të përballemi me rusët nëse përpiqen të na sulmojnë pas tre deri në pesë vjet, por edhe për të barazuar me Shtetet e Bashkuara,” është shprehur Rutte.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Rutte ka konfirmuar se Ukraina do të ftohet në samitin e ardhshëm të NATO-s, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm në përforcimin e partneritetit të aleancës me Kievin.